Nga Anila Hoxha

Gjobitja e këmbësorëve për shkeljen e Aktit Normativ të qeverisë mbi kufizimin e liri-daljes gjatë pandemisë, krijoi perceptimin se është vepruar me dy standarde. Nga 13518 gjoba, 6500 janë ende në fuqi dhe numri i atyre që e kanë shlyer, është i papërfillshëm. Të gjobiturit refuzojnë të paguajnë penalitetin prej 10 mijë lekësh, sepse e konsiderojnë të padrejtë. Nga ana tjetër organizmat për të drejtat e njeriut ngrenë alarmin se ky “komunitet” i cili me gjasa është prekur edhe nga kriza financiare mund të rrezikojë burgun.

“Le të startojnë të gjithë të barabartë, fazën e dytë të luftës!”- deklaroi kryeministri Rama në llogarinë e tij në Facebook në datën 17 prill, duke njoftuar faljen e gjobave të vendosura nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve që thyen masat e karantinës.

Nga 16 marsi deri në 17 prill llogariten 7107 gjoba për këmbësorë që u kapën jashtë banesave dhe në shkelje të orarit për kufizimin e lëvizjeve. Akti Normativ i datës 16 mars 2020 parashikon gjobë në masën 10 mijë lekë dhe bllokim automjeti deri në tre muaj, për individët që nuk e zbatojnë urdhërin e dhënë nga organet kompetente për ndalimin e lëvizjes. Nga të dhënat zyrtare rezulton se së bashku me gjobat e falura, deri ditën kur u hoq kufizimi i liri-daljes u gjobitën në total 13518 qytetarë. Përveç shifrës së bërë publike për të gjobiturit si këmbësorë dhe të cilëve iu zeruan gjobat, rezulton se rreth 6500 shtetas vazhdojnë të kenë në ngarkim masat administrative me vlerën e 10 mijë lekëve, në vazhdën e luftës me “armikun të padukshëm” ku të gjithë konsiderohen të barabartë.

Markel Sotiri, 20 vjeç, është një prej qytetarëve që u gjobit pak ditë pas faljes së gjobave, ndërsa kishte dalë me biçikletë. Emri i tij rezulton në listën e gjatë të atyre qytetarëve që nëse nuk e paguajnë, ose nëse nuk i drejtohen gjykatës Administrative, emrat do t’u shpërndahen pikave kufitare si debitorë.

Markel Sortiri

“I ndoqa procedurat, më nxorrën në komision, por nuk shkova. Isha me biçikletë. Ishte dita e nënave me fëmijë. Nuk e di se çfarë ndodhi pas ankimimit që bëra pasi nuk shkova, kisha punë. As që kam ndërmend të shkoj në gjykatë, nuk ia vlen. Le të qëndrojë gjoba aty!” – deklaron Sotiri për “Faktoje”.

“Por nëse lufta është e barabartë, e njëjtë duhet të jetë edhe falja, përse duhet të veprohet ndryshe me ne të fazës së dytë dhe ndryshe me ata të fazës së parë?”- pyet i riu.

Në datën 13 maj policia i ndali rrugën edhe Gridar Markajt. Edhe pas ankesave të tij, me argumentin se po kthehej nga puna, policia e la në fuqi gjobën. I riu nuk ka dorëzuar asnjë padi në gjykatë. Markaj tregon për “Faktoje”:

“Punoj në një OJF për arsimin cilësor, atë ditë nuk munda të marr dot leje tek e-albania, ishte e pamundur. Policia ma preu gjobën, por nuk më dha dokumentin. Më ndodhi që gjatë rrugës për në shtëpi, edhe patrulla të tjera tentuan t’më vendosin masë, por kur iu përmendja që sapo e kisha marrë gjobën më kërkonin procesverbal”.

Modeli i fletës së gjobës

I riu kujton se ankimimin e ndoqi deri në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, por pa rezultat. Kur e pyetëm nëse do t’i drejtohej gjykatës, Markaj u përgjigj:

“Nuk e kam vendosur, ndjehem i diskriminuar, po ta krahasosh me të tjerët që iu është falur masa. Po flas nga eksperienca ime, pas gjobës nuk dola më deri sa u hoq kufizimi i lëvizjeve.”

Gridar Markaj

Një zyrtar i policisë së Tiranës, i cili kërkoi të mos i publikohej emri, shpjegoi për “Faktoje” se nga i gjithë numri i të gjobiturve për shkelje të orarit të daljes nga shtëpia, vetëm 7 qytetarë e kanë paguar gjobën me vlerë 10 mijë lekë.

Nga 18 prilli deri në 18 maj, vetëm në Tiranë rezultojnë me gjoba të tilla në fuqi, 1984 qytetarë, për të cilët si në të gjithë vendin janë administruar edhe të dhënat e tyre personale, përfshi numrin e telefonit dhe adresën. Zyrtari i policisë shpjegon për “Faktoje” se çfarë ndodh me të gjithë ata qytetarë për të cilët komisionet e policisë nuk i shfuqizuan masat administrative:

“Ne kemi sistemin tonë ku hidhet masa dhe më pas ai do të njoftohet për pagesën. Nëse nuk e paguajnë, qytetarët rezultojnë me detyrim, është i njëjti ligj si për gjobat e automjeteve. Fillimisht gjoba, nëse nuk dërgohet në gjykatë, sipas ligjit ndërhyn përmbarimi dhe nëse nuk paguhet për dy vjet, ky detyrim hidhet në sistem dhe njoftohen edhe pikat e kalimit kufitar.”- përfundon zyrtari.

Ermir Çelami, 35 vjeç, është njëri nga debitorët që u gjobit si shkelës i Aktit Normativ për kufizimin e lëvizjes.

Në datën 13 maj 2020 po shkonte për në shtëpi, kur rreth orës 19.30, u ndalua nga patrulla e policisë.

“Iu thashë policëve po iki në shtëpi, s’ka problem më thanë ata, është thjesht një paralajmërim, e ankimova në polici dhe më pas nuk u mora më me këtë çështje. Çdo ditë kam aplikuar për leje një-orëshe, nuk kam guxuar pa leje, meqënëse kam mamanë sëmurë dhe jetoj vetëm me të. Kam qenë i kujdesshëm!”- rrëfen Çelami.

I riu tregon se pas kthimit në titull ekzekutiv, gjoba 10 mijë lekë do të rritet në varësi të kohës që kalon.

“Nuk e kam paguar, di që nëse nuk e paguaj do rritet kamatëvonesa. Nëse nuk ma falin gjobën, as që kam ndërmend ta paguaj!”- shton 35 vjeçari për “Faktoje”.

Në reagimin zyrtar për “Faktoje”, Policia e Shtetit deklaron se ‘masat administrative prej datës 18 prill e në vijim nuk janë falur e për rrjedhojë qytetarët janë të detyruar t’i paguajnë. Masa e gjobës vilet përmes bankave të nivelit të dytë, duke paraqitur procesverbalin e komunikimit të masës administrative. Qytetari pasi mbaron dhe afati i ankimimit, duhet të shkojë brenda dhjetë ditëve në një bankë të nivelit të dytë dhe të depozitojë shumën në numrin e llogarisë të drejtorisë vendore të policisë që i ka vendosur gjobën. Deri tani numri i atyre që kanë shlyer masën administrative është i papërfillshëm.’

Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, e cila është njohur me problematikën, flet për rrezikun që iu kanoset rreth 6500 qytetarëve realisht të painformuar, pasi sipas saj, jo çdo qytetar ka mundësi ta njohë me detaje legjislacionin. Por si të diskutueshme zonja Skëndaj, kujton kushtet ku punojnë gjykatat në gjendje pandemie duke kufizuar për shkaqe sigurie ushtrimin e të drejtës së ankimimit.

“Qytetarët rrezikojnë të ardhurat e tyre në këtë situatë pandemie që ka vendosur jo pak në vështirësi financiare një pjesë të tyre, duke thelluar varfërinë e grupeve në nevojë. Por gjithashtu qytetarët rrezikojnë edhe burgun në rast se janë përsëritës dhe janë të dënuar më parë me masë administrative, sipas nenit 242/a të Kodit Penal”- thotë Skëndaj për “Faktoje”.

Gjithashtu Skëndaj, shprehet me rezerva mbi disa aspekte të aktit normativ Nr.4 /2020 si nga pikëpamja ligjore, por edhe për pasojat që krijojnë tek qytetarët, si psh vendosja e gjobave fikse pa caktuar një minimum.

Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit për “Faktoje”, Tirana kryeson listën e qyteteve për numrin më të lartë të këmbësorëve të gjobitur për shkeljen e Aktit Normativ mbi kufizimin e liri-daljes. Më pas lista vijon me Durrësin, Fierin, Lezhën, Elbasanin , Shkodrën, Vlorë, Dibrën, Korçën, Beratin, Gjirokastrën dhe në vend të fundit është Kukësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA