Përshkallëzimi i tensionit greko-turk hyn në një fazë të re pasi pasditen e së hënës anija sizmografike turke Oruc Reis e shoqëruar nga katër luftanije turke ka hyrë në skajin lindor të raftit kontinental grek duke ardhur nga rafti kontinental Qipriot.
Përballë saj kanë shkuar menjeherë tre luftanije greke, një pjesë tjetër e flotës detare të Greqisë është përhapur në këtë rajon detar, ndërsa i bëhet thirrje çdo 15 minuta anijes turke duke i kërkuar të largohet pasi ndodhet në territorin grek. Vihet re se transmetuesi i anijes sizmografike turke vazhdon të jetë i mbyllur që 24 orë më parë, siç është regjistruar në sistemin e zbulimit të marinës detare.
Theksohet se vërtet që anija turke Oruc Reis ka hedhur në det kabllot përkatëse të kërkimeve, por në këto kushte kur ajo është e rrethuar me disa anije luftarake hulumtimi sizmografik nuk mund të kryhet për shkak të zhurmës. Zhvillimit të fundit i ka paraprirë e ashtuquajtura lufta e Navtex-eve pasi menjëherë sapo Athina i është përgjigjur me një Navtex Ankarasë duke bllokuar një zonë detare brenda raftit të saj kontinental, pala turke është kundërpërgjigjur me të njëtën mënyrë në të njëjtën zonë duke sjellë tensionin mes tyre në nivelin më të lartë përsëri brenda disa javëve.
Ministria e Jashtme greke ka reaguar menjëherë me një deklaratë të ashpër duke theksuar se Greqia nuk do të pranojë asnjë shantazh, do të mbrojë të drejtat e saj sovrane dhe i bën thirrje Turqisë tu japë fund menjëherë veprimeve të saj të paligjshme që dëmtojnë paqen dhe sigurinë në rajon. Gjithashtu ministri i Jashtëm Dhendias ka urdhëruar ambasadën greke në Ankara të dorëzojë një notë proteste në ministrinë e Jashtme Turke, ndërsa ka zhvilluar bisedime me homologët e tij të Gjermanisë, Qipros dhe Bahreinit të cilëve u ka shpejguar pikat kryesore të marrëveshjes që Greqia ka nënshkruar me Egjiptin për zonat e tyre eksluzive detare duke sjellë në plan të parë edhe provokimet turke.
Nga ana e tij edhe kryeministri Mitsotakis ka komunikuar në mëngjesin e së hënës me presidentin e Këshillit Europian Charles Mishel, ndërsa së fundmi ka njoftuar edhe Sekretarin e Përgjitshëm të NATO-s Stoltenberg. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi SHBA të cilat janë shprehur të shqetësuara për veprimet e Ankarasë duke ju bërë thirrje autoriteteve turke të ndalojnë çdo operacion kërkimor për hidrokarbure në zonat mbi të cilat Greqia dhe Qipro pretendojnë juridiksionin në Mesdheun Lindor e duke theksuar se veprime të tilla janë provokuese dhe rritin tensionet në rajon.
Top Channel