Më shumë se 97 mijë fëmijë në shtetet e bashkuara të Amerikës kanë rezultuar pozitivë për koronavirusin në dy javët e fundit të korrikut.
Sipas një raporti të publikuar nga shoqata e mjekëve pediatër dhe spitaleve për fëmijë, në këto dy javë pati 40 për qind rritje të rasteve mes fëmijëve në të gjitha shtetet dhe qytetet që u monitoruan. Mosha mesatare e fëmijëve të prekur varion nga shteti në shtet.
Raporti vjen në një kohë me sezonin e kthimit në shkollë e ndërsa zyrtarët po përpiqen të kuptojnë pasojat e virusit tek fëmijët dhe rolin që ata luajnë në përhapjen e tij.
Disa shkolla kanë filluar të presin nxënës në klasa dhe të tjera janë detyruar të rishohin planet e tyre të rihapjes për shkak të numrit të infektimeve.
Në një shkollë në Georgia, nëntë raste koronavirusi u raportuan. Gjashtë prej tyre ishin nxënës dhe tre pjesëtarë të stafit. Ndërsa disa liderë në SHBA, përfshirë presidentin, kanë thënë se virusi nuk përbën rrezik për fëmijët, një studim i fundit sugjeron se fëmijët më të rritur mund ta transmetojnë virusin po aq sa edhe vetë të rriturit.
Të paktën 86 fëmijë kanë humbur jetën që nga maji, sipas një raporti të ri. Javën e shkuar, një 7 vjeçar pa sëmundje të mëparshme, u bë viktima më e re e koronavirusit në Georgia. Në Florida, dy adoleshentë humbën jetën më herët këtë muaj duke e çuar numrin e viktimave në moshë të vogël në shtet në shtatë.
Ndërkohë që fëmijët me ngjyrë dhe latinë preken më rëndë dhe më shumë nga koronavirusi. Në të gjithë SHBA, pesë milionë raste janë raportuar dhe afro 163 mijë persona kanë humbur jetën nga pandemia, më shumë se në çdo vend tjetër të botës.
Top Channel