Protesta në Liban/ Ndërkombëtarët, 298 mln USD ndihma

10/08/2020 11:56

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se Libanit i duhen afro 117 milionë dollarë ndihmë urgjente pas shpërthimit në portin e qytetit më 4 gusht, nga i cili u vranë më shumë se 160 njerëz, u plagosën mijëra, dhe mbetën pa shtëpi rreth 300.000 banorë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kombet e Bashkuara bashkë-organizuan konferencën ndërkombëtare të donatorëve , e cila u mbajt online.

Me dhjetëra vende njoftuan se kanë ndarë ndihma për Libanin. Një komunikatë nga samiti nuk dha një shumë përfundimtare të mjeteve të zotuara në konferencë, por zyra e Macronit tha se janë mobilizuar gjithsej 298 milionë dollarë.

Udhëheqësit botërorë thanë se ndihma do t’i jepet “drejtpërdrejt popullatës libaneze, me efikasitet dhe transparencë maksimale” për shkak të shqetësimit për korrupsionin endemik të qeverisë. Ata gjithashtu ofruan mbështetje për një “hetim të paanshëm, të besueshëm dhe të pavarur” për shpërthimin, pasi shumë libanezë kanë humbur besimin në qeverinë e tyre. Para se të fillonte konferenca e donatorëve, protesta të dhunshme janë mbajtur në rrugët e Bejrutit.

Protestuesit kërkojnë rrëzimin e qeverisë të cilën e akuzojnë për neglizhencë që çoi edhe në shpërthimin vdekjeprurës. Për të dytën mbrëmje radhazi, protestuesit u përleshën me forcat e sigurisë në afërsi të parlamentit, në qendër të Bejrutit.

Zyrtarët libanezë kanë thënë se shpërthimi ndodhi në një depo të kimikateve, të cilat ishin ruajtur në mënyrë jo të sigurt për vite të tëra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA