Ngjarjet kriminale në Elbasan/ Vrasja e dy të rinjve, gjykata lë në burg Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin

10/08/2020 11:35
Në foto (nga e majta në të djathtë): Viktimat Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën “burg pa afat” për Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin, të dyshuar në përfshirjen e ngjarjeve kriminale në Elbasan, konkretisht në masakrimin me thikë të 23-vjeçarit Regis Runaj, në afërsi të varrezave të qytetit, duke e qëlluar plot 27 herë.

Po ashtu nga hetimet rezulton se këta dy shtetas janë të përfshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit, pasi nga provat e grumbulluara rezulton se të dy këta shtetas kanë ndjekur dhe kontrolluar lëvizjet e viktimës. Po nga hetimet rezulton se dy të rinjtë, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili, këto ngjarje i kanë kryer kundrejt pagesës nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna intensive për dokumentimin e rasteve.

Ne pretencën para trupit gjykues, prokurori Kreshnik Ajazi kërkoi masën e arrestit me burg  për dy të ndaluarit duke paraqitur prova ligjore që i implikojnë në dy ekzekutime, ate të Emiljano Ramazanit, por dhe Regis Runajt.

Pavarësisht mbrojtjes së avokatit Blendi Himci, në fund gjyqtarja Pajtime Fetahu vendosi t’i lërë në  burg dy të rinjtë.

Kujtojmë se gjatë periudhës hetimore, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi prova shkencore që provojnë autorësinë e ngjarjejeve. Ndërsa ne cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motomjet, në të cilin u gjetën njolla gjaku, të cilat pas ekzaminimit në laboratorin shkencor rezultuan se i përkisnin viktimës Regis Runaj, si dhe një shumë eurosh dhe prova të tjera ligjore. Gjithashtu kamerat e sigurisë në biznese dhe qytet kanë faktuar përndjekjen që dy autorët i kanë bërë prej disa ditësh 39-vjeçarit Emiljano Ramazani. Ndërkohë polumbarët para dy ditësh gjetën armë në rrjedhën e lumit Shkumbin. Ato janë dërguar në një laborator në Tiranë dhe pritet dalja e përgjigjeve nëse kanë lidhje me ekzekutimet e mësipërme apo jo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA