Gjykata e Pogradecit caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Olsi Çekiçin,i cili vrau dhe preu në mënyrë makabre nënën e tij 70-vjeçare në fshatin Buçimas.
Në seancën gjyqësore që u zhvillua me dyer të mbyllura, 44-vjeçari u tregua i qetë, ndërsa pranoi autorësinë e krimit duke deklaruar se plagosi me mjet të fortë edhe vëllanë, i cili kishte ndërhyrë për të shpëtuar të ëmën, në momentin që 44-vjeçari po i priste kokën.
Organi i akuzës duke sjellë dinamikën e plotë të ngjarjes i kërkoi gjykatës të caktojē për 44-vjeçarin masën e sigurisë arrest me burg si dhe të vlerësonte të ligjshëm arrestin në flagrancë ndërsa Avokati mbrojtës i 44-vjeçarit i caktuar kryesisht,kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë,duke kërkuar qe ndaj 44-vjeçarit të caktohej masa e sigurisë burg me afat 40 ditë, periudhë gjatë së cilës Çekiçi t’i nënshtrohej ekzaminimit psikik, për shkak të çrregullimeve mendore.
Pasi ka dëgjuar argumentet e sjella nga të dyja palët gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Olsi Çekiçin, duke rrëzuar kërkesën e mbrojtësit, i cili nuk i paraqiti gjykatës asnjë prove shkresore, që të vërtetonte se autori i krimit makabër vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Ndërkohë një tjetër çështje gjyqësore do të zhvillohet në gjykatën e Pogradecit pasi ish-bashkëshortja e Olsi Çekiçit pas ngjarjes së rëndë ka kërkuar të marrë kujdestarinë e vajzës 15 vjeçare që jetonte me autorin dhe gjyshen e saj, Firdes Çekiçi.
Top Channel