Rreziku nga temperaturat e larta/ Mjekët: Pushuesit të bëjnë kujdes në plazh, pasi fokusi është vetëm te Covid-19

09/08/2020 15:27

Përveç pandemisë që në këtë sezon veror dikton masa të larta higjieno-sanitare dhe distancim fizik, pushuesit duhet të kenë parasysh edhe rreziqet e tjera shëndetësore gjatë qëndrimit në plazhet e shumta të Adriatikut.

”Pushuesit i këshillojmë të bëjnë kujdes me qëndrimin në diell, në temperatura të larta. Koha ideale e qëndrimit është 7.00-11.00 dhe pas orës 17.00. Nga ora 11.00-17.00 duhet të qëndrojnë në banesë. Sa më pak në diell dhe të konsumojnë lëngje. Më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël dhe moshat e treta që kanë dhe sëmundje shoqëruese, si hipertension, azëm, diabet, sëmundje kardiake dhe mushkërish. Ky është grup risku në këto ditë të nxehta.”

Të shtunën, një pushues 64-vjecar humbi jetën në plazh, pas daljes nga deti, si pasojë e një arresti kardiak ndaj mjekët apelojnë për më shumë kujdes edhe nga ana e familjarëve që i shoqërojnë në plazh.

Një tjetër problem është dhe djegia e lëkurës nga dielli. Ky turist polak thotë se po i shijon pushimet në Durrës dhe skuqja e lëkurës nuk e shqetëson aspak. Madje është i kënaqur që po merr ngjyrë. Edhe të tjerë nuk e përdorin kremin mbrojtës ose e vendosin pasi dëmi në lëkurë është bërë.

-”Po mbrohem me krem kundër diellit. Këtu është një vend shumë i mirë për pushime. Jam skuqur, por është OK. Dua të skuqem dhe më shumë, ndaj jam këtu.”

-”Pa krem, sepse dielli nuk është aq i fortë.”

”Kanë tendencë të qëndrojnë për një kohë të gjatë në diell dhe vijnë në gjendje të rënduar e dehidratuar. Vijnë dhe me djegie të gradës së parë, të dytë dhe më shumë. Në orët e pikut trupi nuk merr rreze të shëndetshme, po rreze të dëmshme për trupin dhe sëmundjeshkaktuese me pasoja afatgjata.”

Shmangja e orëve më të nxehta të ditës, përdorimi i kremrave mbrojtës kundër diellit dhe i sa më shumë lëngjeve; mos futja e menjëhershme në det, si dhe asnjëherë pas ushqimit janë këshillat kryesore të mjekëve për këtë sezon, pa lënë pas dore masat mbrojtëse kundër Covid-19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA