Rreth 10 milionë afganë besohet se kanë qenë të infektuar me koronavirus

05/08/2020 19:31

Ministria e Shëndetësisë në Afganistan ka vlerësuar që rreth një e treta e popullsisë – apo 10 milionë persona – janë infektuar me koronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Ahmad Jawad Osmani u ka thënë gazetarëve më 5 gusht se sondazhet janë bazuar në testet e kryera për antitrupa në pothuajse 9,500 njerëz në gjithë shtetin, me mbështetje teknike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sondazhi ka vlerësuar se rreth 31.5 për qind e popullatës prej 32 milionë personave ka qenë në kontakt me virusin, derisa shkalla më e madhe është regjistruar në kryeqytetin afgan, Kabul.

Afganistani, që ka infrastrukturë të dobët shëndetësore dhe është dëmtuar nga disa dekada luftë, aktualisht po përballet me kapacitete të kufizuara të testimit.

Zyrtarisht, ky shtet ka vetëm 36,829 raste pozitive dhe 1,294 vdekje më 5 gusht, ndonëse shifrat e vërteta besohet se janë shumë më të mëdha.

“Një valë e dytë e infektimit është duke ndodhur çdokund në botë dhe ne nuk mund të jemi përjashtim”, ka thënë Osmani.

“Ne do të shfrytëzojmë këto të dhëna për të përgatitur veten më mirë për valën e dytë potenciale”.

Deri më tani, më shumë se 18 milionë persona janë infektuar në gjithë botën me koronavirusin e ri, për të cilin fillimisht është raportuar në Kinë, në fund të vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA