Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e sotme në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit.
71-vjeçari, shtetasi Abdulla Budlla është konstatuar pa shenja jete, i shtrirë në anë të rrugës.
Dyshohet se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, pasi ka dyshime se është qëlluar nga një mjet në lëvizje.
Burime bëjnë me dije se në vendngjarje është gjendur mjeti që lëvizte viktima, ndërsa Abdulla Budlla është gjendur pa shenja jete jashtë automjetit.
Viktima punonte si taksist në të zezë, por kjo nuk ka asnjë lidhje me vrasjen. Autorët kanë qëlluar nga tre a katër metra larg drejt 71-vjeçarit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat policore dhe grupi hetimor. Shërbimet e Policisë kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.
Tiranë/Informacion paraprak
Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:45, në Fushë-Prezë, në kryqëzim me rrugën e Rinasit, në rrethana ende të paqarta dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi A. B. 71 vjeç, banues në fshatin Hametaq, Njësia administrative Prezë.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje , ku kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Rinas -Fushë-Krujë, Rinas-Vorë -Tiranë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme që do çojë në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel