Meta dekreton ligjin e zgjedhjeve, Presidenti: Dialogu, e vetmja rrugë drejt BE

31/07/2020 19:37

Ilir Meta hodhi firmën mbi marrëveshjen e 5 qershorit, të përkthyer në 48 nene të reja të  kodit elektoral një ditë pasi  Parlamenti i dërgoi në zyrë e tij  dokumentin e  dakordësuar  me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.

Si për ironi, në njoftimin e Presidencës bie në sy se  Parlamenti i ka dërguar për dekretim kryetarit te shteti ndryshimet ne ligjin zgjedhor, ditën kur socialistët  vulosnin  ne seancë plenare ndryshimin e Kushtetutës me deputetë të dalë nga listat e PD-LSI.

“Kuvendi i Shqipërisë në  datë 30.07.2020, ka përcjellë pranë Institucionit të Presidentit për dekretim dhe shpallje, ndër të tjera ndryshimet në Kodin Zgjedhor të  Republikës së Shqipërisë.  Presidenti i Republikës Ilir Meta, ashtu siç kishte garantuar, ditën e sotme, pa asnjë vonesë, ka dekretuar me shpallje ndryshimet në Kodin Zgjedhor, qe janë i vetmi produkt i marrëveshjes konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit të dakordësuara në Këshillin Politik, që mundëson vijimin e sigurt të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe që kishin konsensusin dhe gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve politikë në vend.”

Në sqarimin që bashkëshoqëron dekretin, Presidenti  Ilir Meta  këmbëngul  në vijimin e konsensusit politik si një ndër kushtet e vendosura ndaj Shqipërisë për rrugëtimin europian, ndërsa nuk kursehen akuzat për vendimin e Parlamentit   për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme.

Presidenti Meta do të jetë si gjithmonë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave të patjetërsueshme, lirive dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre përballë çdo akti të ndryshimeve të njëanshme, të dhunshme dhe me urgjencë të pajustifikueshme, si ai i Kushtetutës, që asgjësojnë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë!”

Ndryshimet kushtetuese nuk njihen as nga Partia Demokratike  dhe aleatët e saj, pasi sipas tyre ato minojnë marrëveshjen e 5 qershorit.  Me 106 vota pro dhe 10 kundër parlamenti vendosi te ndryshoje sistemin zgjedhor duke hapur listat e kandidateve  dhe  prekur formulën e  koalicioneve parazgjedhore,  por për opozitën jashtëparlamentare  ky votim zhbën marrëveshjen politike për zgjedhje, ku parashikohen  ekzisteca e koalicioneve parazgjedhore.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta