Ministria e Drejtësisë ka firmosur sot izolimin e krerëve të bandave të krimit që ndodhen në burgje
Sot në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrja Etilda Gjonaj bashkë me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtuesin e SPAK, Prokurorin Arben Kraja, deklaruan fillimin e aplikimit të Regjimit të Posaçëm në Burgjet e Sigurisë së Lartë, të ashtuquajturin Regjimi 41-Bis.
Të tre autoritetet kanë firmosur listën e parë me 7 persona të akuzuar dhe dënuar për vepra të rënda penale që variojnë nga pjesëmarrje në organizata kriminale dhe deri në pjesëmarrje në organizata terroriste.
Grupi i punës përgatiti raportet finale të vlerësimit duke sugjeruar vendosjen e 7 personave në regjimin e posaçëm. Në përfundim të procedurave janë përgatitur urdhërat për vendosjen e personave të mëposhtëm në regjimin e posaçëm.
1. Arbjon Aliko
2. Emiljano Shullazi
3. Blerim Shullazi
4. Gilmando Dani
5. Endrit Qyqja
6. Genci Balla
7. Endrit Zela
Në takim ishin gjithashtu të pranishëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili dhe përfaqësues të Misionit OPDAT dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.
Ata që do të gjykohen për veprat penale të krimit të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale dhe terroriste, do të vendosen në një regjim të posaçëm me kufizim të të drejtave, me qëllim për të të parandaluar:
– kontaktet me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera aleate;
– konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare;
– ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë që i përkasin të njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë.
Top Channel