Gjyqtari i Apelit Alaudin Malaj ka dhënë dorëheqjen. Burime bëjnë me dije për gazetaren Anila Hoxha se ai e ka dorëzuar dorëheqjen në KLGJ.
Në letrën të cilën Top Channel e disponon Malaj duke e konsideruar një vendim të rëndësishëm, thotë se: “Duke patur parasysh se dorëheqja nga detyra dhe mbarimi i statusit të magjistratit është një proces automatik, i detyrueshëm, një algoritëm, kam pranuar gjithashtu edhe heqjen dorë nga ky status. Unë jam plotësisht i bindur në ushtrimin nga ana juaj të kompetencave kushtetuese dhe ligjore për të pranuar dhe vijuar sa më shpejt me këtë kërkesë, pasi detyra e re më kërkon që ky vendim të merret sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ndër të tjera Malaj falenderon ata që i kanë ndenjur pranë, përfshirë familjarët dhe shprehet se i ka qëndruar kurdoherë besnik Kushtetutës.
Malaj është i njohur për publikun edhe me deklaratat e tij kundër ish ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, kur ai u ka dërguar një letër 11 institucioneve në vend, ku kërkonte ruajte fizike nga shteti për shkak të rrethanave jo të zakonshme të krijuara për të.
Në një intervistë për Top Channel ai thoshte se në vitin 2015 vëllai i tij është kërcënuar me jetë, çështje kjo që sipas tij nuk u hetua kurrë.
“Vëllai im ka bërë kallëzim penal për një vrasje me pagesë të një personi në Vlorë, i cili nuk u hetua kurrë, biles u pushua çështja, madje u fshinë edhe materialet e çështjes nga prokuroria. Ndikimi ishte shumë i madh”, shprehej gjyqtari.
Lidhur me një sërë ngjarjesh të ndodhura me të dhe familjarët e tij, gjyqtari Alaudin Malaj, thoshte se mungesa e reagimit ndaj kallëzimeve të ndryshme kishte ardhur për shkak të ndikimit të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Me gjithë respektin për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, por ai nuk mund të drejtojë dot Policinë e Shtetit, përderisa njerëzit janë të Fatmir Xhafës në Policinë e Shtetit, që nga drejtori i policisë, e deri tek i fundit. Mos të them edhe tjetrën, që një pjesë të drejtorave që ishin larguar më para nga detyra dhe ishin ndjekur edhe penalisht, Fatmir Xhafa i ngriti në detyrë”, shprehej Alaudin Malaj.
Top Channel