Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka përkujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare Adem Demaçi në dyvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se me sakrificat e pandalshme për liri dhe me gatishmërinë e vazhdueshme për ta kundërshtuar robërinë, Adem Demaçi e ka bërë të shquar Kosovën në hartën e Evropës si vend i veçantë që nuk e duron robërinë, por aspiron lirinë dhe pavarësinë.
“Te përkushtimi i Bacës Adem se kurrë nuk duhet të heqim dorë nga liria, gjeneratat e reja gjenin shembullin më sublim. Tek bindja e tij se nuk ka liri pa flijim, gjenerata të shumta nxorën mësimin më kuptimplotë. Guximi i tij që kurrë të mos ndalet, ishte inspirim që të tjerët të vazhdojnë gjithmonë. Krenar që e kishim gjithmonë shembull Bacën Adem. Me fat e të lumtur që do të kemi prore frymëzimin nga ai. Lavdi”, ka shkruar Veseli.
Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi, i njohur si Nelson Mandela i Evropës, vuajti 28 vjet burg në kohën e ish-Jugosllavisë. Pasi u lirua, ai vazhdoi aktivitetin e tij politik.
Me prejardhje nga Lupqi i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik 2018 ndërroi jetë.
Top Channel