Në qytetin e Mirditës, tre persona janë konfirmuar pozitiv me Covid-19.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se të infektuarit janë vatra të reja Covid-19. Deri më tani nuk dihet se ku mund të jenë kontaminuar, ndërsa strukturat shëndetësore po hetojnë mbi rastet.
Kujtojmë ditën e djeshme 3 qytetarë në terapi intensive, të intubuar kanë humbur jetën te Infektivi. Një 52 vjeçar nga Tirana, një 57 vjeçar nga Kukësi dhe një 59 vjeçar nga Korça, nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Aktualisht në dy spitalet Covid, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 106 pacientë, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar.
Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me Covid19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Top Channel