Kanë kaluar 48 ditë nga votimi i qeverisë Hoti, por pavarësisht kësaj ende nuk e ka dërguar agjendën legjislative për votim në Kuvendin e Kosovës.
Ani pse 129 projektligjet që përfshijnë programin legjislativ kanë marrë dritën e gjelbër në mbledhjen e gjashtë të ekzekutivit, të zgjedhurit e popullit janë në pritje për shqyrtim dhe votim të tyre.
Derisa në partinë opozitare, Lëvizje Vetëvendosje, adresojnë kritika karshi këtij programi legjislativ, në partinë në pushtet LDK e arsyetojnë atë. Ndërkaq, njohësit e sistemit të drejtësisë kërkojnë që kjo agjendë legjislative për vitin 2020 të fokusohet vetëm te ligjet bazike.
Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj i cili është edhe kryetar i komisionit për legjislacion, thotë për KosovaPress se disa prej projektligjeve kanë qenë në shqyrtim edhe më herët në Kuvend. Por sipas tij meqenëse ato janë kthyer në pikën zero tashmë komisionit funksionale duhet të përgatitin planet e tyre të punës për t’i trajtuar gjitha ato.
“Është një pako ligjore që përfshinë mbi 120 ligje, normalisht një pjesë e tyre janë që kanë qenë edhe më herët në shqyrtim në Kuvend gjatë qeverisjes së kaluar. Por pas shpërndarjes së Kuvendit ato kthehen pikën zero. Kështu që qeveria prapë ka proceduar një pjesë të ligjeve të njëjta. Sikur edhe një pjesë e ligjeve që kanë qenë duke u trajtuar nga ish qeveria Kurti”, thotë Manaj.
Ndërkaq, deputeti opozitar i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi thotë se agjenda legjislative e qeverisë Hoti ka të bëjë vetëm me akomodimin e interesave partiake të partive në pushtet.
“Ne si Kuvend po fillimisht edhe si komision për legjislacion po presim një gjë të tillë, presim të na vijë në shqyrtim agjenda legjislative, mirëpo kjo ende nuk ka ndodhur… Sipas neve kjo agjendë legjislative e kësaj qeverie ka të bëj vetëm me akomodimin e interesave partiake të këtyre partnerëve të koalicionit. Nuk ka asgjë të dobishme e cila shkon në favor të interesit qytetarë dhe nacional të Kosovës. Rrjedhimisht kemi të bëjmë me një dokumente që nuk ka kuptim, përveç politik dhe partiak të këtyre grupeve politike”, thotë ai.
Kurse, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pohon se bazë rrethanave politike dhe kohën e shkurtër deri në vitin 2020, agjenda legjislative duhet të fokusohet vetëm tek Kodi i Procedurës Penale, ndryshimet Kushtetuese për Vetingut dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
“Kjo agjendë duhet të fokusohej vetëm në liget bazike duke pasur parasysh periudhën e shkurtër kohore që e ka viti 2020. Unë besoj që këtu hyjnë marrëveshjet ndërkombëtare, Kodi i Procedurës Penale dhe po ashtu propozimi për ndryshimet Kushtetuese sa i përket Vetingut. Duke pasur parasysh kohën e shkurtër e cila tani është për vitin 2020. Besoj që agjenda legjislative duhej të përshtatet vetëm në nevojën e ligjeve bazike”, u shpreh ai.
Agjenda legjislative e qeverisë Hoti ndër të tjera përfshinë, projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, projektligji për Aktet Juridike e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
Top Channel