Fiks Fare vijoi investigimin për resortin “Morava Resort” në Korçë, ku rezultoi se nga vitit 2017 deri në vitin 2020, ndërtimi u 10-fishua.
Madje, me vendime të dyshimta ndërtimet pa leje u legalizuan në mënyrë arbitrare vetëm me emrin e një bashkëpronari, pavarësisht se resorti kishte dy ortakë.
Falsifikimi
Më 8 korrik, emisioni investigativ Fiks fare faktoi me zë, figurë, por edhe dokumente ndërtimet e dhjetëfishuara ne Morave Resort ne Korce. Madje, në momentin që gazetarët shkuan në këtë kompleks, po realizoheshin punime që nga themeli. Dhe, një ditë pas transmetimit të këtij investigimi nga “Fiks Fare”, oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Korçës shkuan pranë kompleksit “Morava Resort”, duke bërë këqyrjen e ndërtimeve pa leje. Ata morën në pyetje një nga ortakët e këtij kompleksi, i cili nuk ishte në dijeni të këtyre ndërtimeve. Menjëherë pas verifikimeve të para, pa kaluar as 24 orë nga publikimi i këtij skandali, Policia e Korçës shpalli në kërkim ortakun tjetër, Arben Reli, i cili është autori i këtyre ndërtimeve pa leje.
Eksperti kriminalist, z. Xhevair Çeloaliaj, me një përvojë pune 31 vjeçare, i cili ka drejtuar edhe Institutin e Policisë Shkencore doli në përfundimin se nënshkrimi i ortakut Sefedin Bajraktari në deklaratën noteriale “është i falsifikuar”.
Ndërkohë Dokumenti fals u shoqërua me pasaportë të skaduar. Por si u përpilua përpara noteres Margena Çela? Gazetarët e Fiks Fare shkuan disa herë në zyrën e noteres, për ta pyetur si e përpiloi këtë akt pa njërin firmëtar.
Fiks Fare ka mësuar se, përveç falsifikimeve të nënshkrimeve me dorë dhe të shtypura të deklaratës, bashkëlidhur këtij akti është edhe fotokopja e pasaportës së vjetër të ortakut Sefedfin Bajraktari. Akti noterial pretendohet se është realizuar në datën 3 maj 2011. Dhe, sipas këtij dokumenti, pasaporta e ortakut është e vjetër, me numër Z, e cila ka dalë jashtë përdorimit në vitin 2010. Në maj 2011, Sefedin Bajraktari ka pasur në përdorim një pasaportë biometrike. Ky është një tjetër fakt që vërteton se deklarata noteriale është totalisht e falsifikuar. Por, edhe për këtë fakt, noterja nuk pranoi të japë asnjë shpjegim.
Top Channel