Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues kundër dy të akuzuarve A. M. dhe A. M., shtetas të Republikës së Shqipërisë sepse në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas gjykatës, i akuzuari A. M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej tremijë euro. “I akuzuari A. M. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej katër vjet dhe dënim me gjobë në shumën prej tremijë euro.
Të akuzuarve në këtë dënim do të iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 21 gusht 2019. Po ashtu të akuzuarit janë obliguar që të paguajnë secili veç e veç shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej dyqind euro si dhe shumën prej pesëdhjete euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar është vërtetuar se të pandehurit më 21 gusht 2019, pa autorizim kanë importuar substancë narkotike e llojit “Marihuanë” nga Republika e Shqipëria për në Republikën e Kosovës në atë mënyrë që; i pandehuri A. M. pasi kalon pikën kufitare “Qafë Morinë” në Gjakovë, e parkon veturën e markës Mercedes tek parkingu i qendrës tregtare “ETC” në Gjakovë, më pas me të pandehurin A. M. me veturën e markës …… së bashku vazhdojnë rrugën në drejtim të qendrës tregtare “Landi Star” ku ndalohen për kontrolle nga njësia antidrogë.
Meqenëse i pandehuri A. M. e kishte të parkuar automjetin tek “ETC”, për të cilin kohë më parë kishte informacione se posedonte substancë të dyshuar për narkotikë, njësiti antidrogë, së bashku me të dyshuarit kanë shkuar tek vetura e parkuar pranë “ETC-s” dhe gjatë kontrollit, në pjesën e pasme (bagazh), janë gjetur katër thasë me substancë në formë bari e dyshuar për “Marihuanë”, ku nga ekzaminimi laboratorik i forenzikës është konstatuar se të akuzuarit kishin në posedim neto njëzet e nëntë kilogram e treqind e shtatëmbëdhjetë gram, substancë narkotike të llojit Marihuanë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata ka urdhëruar Stacionin Policor në Gjakovë, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi të bëjë shkatërrimin e substancës narkotike si dhe ndaj të akuzuarit A. M. t’i konfiskohet automjeti i markës “Mercedes-Benz”, ashtu që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, Agjencia për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar në Prishtinë, obligohet që ta marr nën administrim dhe menaxhim.Të akuzuarve iu vazhdohet masa e paraburgimi deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit. Palët kane të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Kosova Press/
Top Channel