Në të gjitha ambientet e mbyllura vendosja e maskës është kthyer e detyrueshme.
Në çdo njësi shërbimi, dyqane, markete, ashensorë, hyrje pallati apo zyra të administratës publike e jo publike nëse nuk mbahet maska në këto mjedise do të gjobiteni në vlerën 2000 lekë të reja.
“2 mijë lekë?? Po atëherë duhet mbajtur se sbën e për shëndetin e për lekët. Duhet të vetëndërgjegjësohemi…”, shprehen qytetarët.
Por nga vëzhgimi që kreu Top Channel, mosbatimi i këtij vendimi ishte në masë, ndërsa më të bindurit duket se janë mosha e tretë.
“Po duhet të mbahet se na ka hyrë frika. Këto janë rregullat. Unë e kam mbajtur edhe më parë e brenda e jashtë se njerëzit kolliten. Nuk e zbatojnë vendimin…”
Njoftimin për vendosjen e maskës bizneset e kanë ngjitur në hyrje, por çudia është se nuk e zbatojnë as vetë. Ndërsa në institucione shtetërore punonjësit pa maska në prezencë të kamerës ndërrojnë rrugën për të hyrë brenda zyrave.
Por më e rëndë është kur një maskë përdoret nga dy veta në spital.
“Ja dhashë një tjetri se nuk e linin të hynin brenda në spital.. e mori timen…”
Top Channel