Që prej orës 7 të mëngjesit policia e Vlorës, Delta Force, roja bregdetare dhe Guardia di Finanza ndoqën një gomone me tre persona në bord e cila u diktua të kryente manovra të dyshimta pranë brigjeve të ishullit të Sazanit.
Pamjet që po ndiqni janë filmuar këtë mëngjes teksa vazhdonte ndjekja nga uji dhe ajri dhe janë parë më sy të lirë edhe nga plazhistët në breg.
Megjithatë gomonia arriti të mbërrinte deri në grykëderdhjen e Vjosës ku dhe mjeti u braktis nga skafistët në lumë në afërsi të urës së Mifolit.
Burime për ekipin e Top Channel që po ndjek operacionin thanë se skafistët që po kërkohen nga dhjetëra forca policie kanë qenë të maskuar me kapuçë në kokë kur janë diktuar gjatë zbritjes në breg, janë rreth 120 forca që po kryejnë kontrolle edhe me dron në një territor me pyllësi te dendur rreth fshatit Mifol.
Në bord nuk u gjet as drogë edhe as ndonjë ngarkesë e dyshimtë. Megjithatë në komunikatën e policisë së Vlorës thuhet se po kërkohet për ndonjë sasi droge të mundshme që mund të jetë hedhur në det.
Ndërkohë gjatë kontrolleve pranë grykëderdhjes së Vjosës policia gjeti edhe një grup klandestinësh nga Lindja e Mesme.
Top Channel