Policia ka arrestuar sot A. M., 17 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim lidhur me operacionin e koduar “Nikla”, për rastin e një 17 vjeçare në Fushë Krujë, e cila është ngacmuar dhe shfrytëzuar seksualisht për muaj me radhë nga disa persona, për shkak edhe të varësisë që ajo krijoi nga droga.
17-vjeçari akuzohet për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.
Për rastin e 17 vjeçares, ashtu siç Top Channel ka raportuar më herët, që kur ishte 14 vjeçe, e mitura filloi të pinte hashash, për të kaluar në përdorimin e kokainës vitin që shkoi.
Po në vitin 2019, familja e saj bën një denoncim në polici, dhe këtë vit prokuroria vendos të rihapë dosjen dhe në pranga vihen katër persona dhe dy shpallen në kërkim (njëri nga të cilët 17 vjeçari i arrestuar sot), për shfrytëzimin seksual të 17 vjeçares.
Po ashtu mbrëmjen e së dielës, në oborrin e shtëpisë së 17 vjeçares u vendos një sasi tritoli. Mamaja e së miturës tregon për Top Channel se ishte ajo që konstatoi lëndën plasëse.
Top Channel