Një tjetër operacion policor është finalizuar me sukses.
Operacioni policor i koduar “Lura”, nga DVP Dibër, në bashkëpunim me DVP Tiranë.
Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, në Lurë, Policia e Dibrës gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, dylbi nate dhe një sasi lënde narkotike kanabis.
Operacioni për kapjen e autorit u finalizua në Bathore, Kamzë, Tiranë, nga ana e Seksionit të Kërkimit pranë Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas informacioneve të dhëna nga DVP Dibër.
Shërbimet e Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Lurë e Vjetër, një shtetas kishte vjedhur me thyerje në banesën e shtetasit R. C., organizuan punën dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të kësaj vjedhjeje.
Në vijim të veprimeve, Policia e Dibrës ushtroi kontroll në banesën e autorit të dyshuar, shtetasit M. V., ku gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, një sasi municioni luftarak dhe rreth 300 gr. lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe disa sende të vjedhura në banesën e shtetasit R. C.
Gjatë kontrollit të zonës për lokalizmin dhe kapjen e autorit, Policia e Dibrës siguroi informacion mbi vendndodhjen e tij dhe falë shkëmbimit të informacionit me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi për llogari të DVP Dibër, e autorit të dyshuar, shtetasit M. V., 56 vjeç, banues në fshatin Lurë e Vjetër, Dibër.
Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel