“Kemi ilaçe kundër covid”/ Arrestohen dy kuruesit e rremë, përzienin acidit klorhidrik me H2O dhe e shisnin për…

14/07/2020 19:20

Dy persona që prodhonin ilaçe në mënyrë artizanale dhe ia shisnin qytetarëve me pretendimin se do t’i shëronte nga COVID-19,u vunë në pranga nga Policia e Lezhës.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë kishin marrë njoftim se një shtetas pretendonte se ishte mjek dhe kishte arritur të prodhonte një ilaç që shërbente për t’u shëruar nga COVID-19.

Bazuar në provat e grumbulluara u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kuruesi i rremë”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Frederik Frroku 57 vjeç dhe nipi i tij, shtetasi Henri Frroku, 30 vjeç, banues në Mamurras.

Shtetasi F. F., nëpërmjet rrjetit social Facebook bënte thirrje për prodhim të substancave për kurimin e virusit COVID-19 nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi.

Në kuadër të operacionit u kap në flagrancë në një lokal, nipi i shtetasit F. F, i cili po i shiste ilaçin një klienti.

Po në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i shtetasit F. F. Nga kontrolli në banesën e tij u gjetën baza materiale, medikamente dhe preparate që shërbenin për të përgatitur ilaçin që këta shtetas tregtonin.

Shtetasi F. F., pasi bënte prodhimin e këtyre medikamenteve në kushte artizanale dhe jashtë kushteve laboratorike, në kushte shtëpie, ia jepte shtetasit H. F., i cili, pasi takonte personat e interesuar, ua shiste atyre kundrejt pagesës 20.000 lekë të reja, me premtimin se shëronin COVID-19.

Në banesën e shtetasit F. F. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë provës materiale dhe pesë pajisje mjekësore pa faturë tatimore, të cilat dyshohet se mund t’i ketë futur kontrabandë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Mashtrimi”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë e ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA