Ghislaine Maxwell, krahu i djathtë i trafikantit famëkeq të minoreneve, Geffrey Epstein, ka marrë për avokat mbrojtës atë që ndihmoi në burgosjen e kryetrafikantit El Chapo.
Dokumentet tregojnë se aristokratja hebreje-britanike do të përfaqësohet në gjyq nga Christian Everdell, ish-asistent i prokurorit të New York.
Everdell dhe grupi i tij kanë marrë më parë medaljen “Hero i vërtetë amerikan” për kapjen sensacionale të El Chapo, kreut të kartelit të drogave Sinaloa në Meksikë. Ata që kanë punuar me të thonë se do të tentojë të bindë 58-vjeçaren Maxwell, të pranojë marrëveshjen me prokurorët duke treguar gjithçka për rrethin e brendshëm të pedofilisë së Jeffrey Epstein.
Maxwell u arrestua nga FBI, e dyshuar si pjesë e rrjetit të trafikut seksual të rangut të lartë të Epstein.
E njohura gjithashtu si “tutorja” e Epstein do të dalë në gjyq në lidhje video më 14 korrik.
Maxwell u arrestua javën që shkoi në vilën e saj $1 milionë që e kishte blerë vetëm disa muaj më parë në New Hampshire SHBA, ku po fshihej që prej vdekjes së Epstein në burg, gushtin që shkoi.
Mes të tjerash ajo akuzohet për nxitje të vajzave minorene deri në 14 vjeç për t’u përfshirë në akte seksuale me Epstein dhe me miqtë e tij në rezidencat e New York City, Florida, Londër e New Mexico.
Pretendohet gjithashtu se Maxwell zotëron kopje të regjistrimeve seksuale kompromentuese të Jeffrey Epstein, në të cilat mund të ekspozohen disa nga njerëzit më të fuqishëm të botës, që shoqëroheshin me të.
Top Channel