Dhunë në familje, drogë, e falsifikim dokumentesh/ Arrestohen 4 persona në Durrës, nën hetim tre të tjerë

08/07/2020 10:09

DURRËS – Gjatë 24 orëve të fundit Policia e qarkut Durrës ka arrestuar në flagrancë 4 shtetas, ka proceduar penalisht 3 dhe ka shpallur në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Në Nikël të Krujës specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve masive të territorit, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, kanë konstatuar një sipërfaqe toke në fshatin Nikël, Krujë, ku ishin kultivuar bimë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., 72 vjeç dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit R. L., 26 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike cannabis sativa në një sipërfaqe toke pranë banesës së tyre. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit B. D., 54 vjeç dhe H. Xh., 54 vjeç, me  detyrë administrator i Njësisë Administrative Nikël dhe kryeplak i fshatit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan në gjendje të lirë shtetasin: G. S., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lokalin e tij “Muzikë live”, në lagjen nr. 14, Durrës, duke ushtruar aktivitetin pa licencë dhe duke vendosur muzikë të lartë. Gjithashtu, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, pika 2, datë 15.03.2020, për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndaj këtij subjekti u vendos masë administrative 1 milion lekë të reja.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare u arrestua në flagrancë shtetasi kosovar Xh. M., 29 vjeç, pasi në PKK, Durrës, ka tentuar të kalojë kufirin me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestuan A. S., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi: G. D., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin tip “Ford” në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin A. T., 27 vjeç dhe për pasojë kanë mbetur të dëmtuar shtetasit R. Z., 82 vjeçe, K. B., 25 vjeçe dhe L. T., 54 vjeçe, pasagjere në mjet.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, në ngarkim të shtetasve B. S. dhe R. L.; “Shpërdorim detyre”, në ngarkim të shtetasve B. D. dhe H. Xh.; “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “Prishja e qetësisë publike”, në ngarkim të shtetasit G. S.; “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, në ngarkim të shtetasit Xh. M.; “Dhuna në familje”, në ngarkim të shtetasit A. S.; “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” në ngarkim të shtetasit G. D.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA