Dosja e Kombinatit, ku nënë e bijë u gjetën të vetëflijuara në banesë, ende nuk është çuar në Prokurori.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bën me dije se ende nuk është caktuar një Prokuror që të marrë në shqyrtim dosjen në fjalë, pasi nuk është dorëzuar nga Policia, të cilët po mbledhin të dhëna nga vendi i ngjarjes.
Burime zyrtare për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bëjnë me dije së ende asnjë prokuror nuk është përcaktuar për të shqyrtuar këtë dosje. Nga ana tjetër në shumë media online, por jo vetëm janë shkruar lajme ku citohen prokurorë të çështjes, që në fakt një i tillë nuk ekziston për sa nuk është caktuar ende nga Prokuroria.
Këto lajme që mund të quhen ndryshe edhe ‘fantazi’ apo ‘Fake news’ që kanë folur për burime nga prokuroria, thuhet se kanë marrë edhe rrëfimin e vajzës së mbijetuar Blerta Josifit në një spital privat, por që kjo e fundit është dërguar në Spitali Psikiatrik.
Siç u raportua më parë nga Top Channel, familja Josifi në kohën kur ishte në Përmet ishte angazhuar me Kishën Evangjeliste Norvegjeze, ndërkohë pas mbërritjes në Tiranë ata frekuentonin ambientet e sektit të Dëshmitarëve të Jahovait. Ata u larguan nga Përmeti rreth dy vjet më parë dhe me ardhjen në Tiranë u angazhuan me Dëshmitarët e Jahovait. Kjo vërtetohet edhe nga provat e gjetura nga policia në banesën e tyre në Kombinat.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur libra të tillë si “Kulla e Rojes” botim ky i Dëshmitarëve të Jahovait.
Kujtojmë se mbrëmjen e dy korrikut, kryeqyteti i trondit, pasi në Kombinat u gjetën të vdekura, nënë e bijë Zhaneta dhe Anisa Josifi, të vetëflijuara në banesë, të cilat thuhej se ishin besimtare të sektit fetar “Dëshmitarët e Jehovait”.
Policia e Shtetit po mbledh prova për personat që direkt apo indirekt e shtynë Zhanetën të izolohet në këtë dhomë me një të vdekur deri në vetëflijim. Ata po përpiqen të zbardhin shtysën që pati kjo nënë të shkonte drejt vdekjes me akte përtej çdo imagjinate.
Top Channel