Koreja e Veriut tha nuk ka në plan të rifillojë negociatat bërthamore me Shtetet e Bashkuara në një të ardhme të afërt, nëse Uashingtoni nuk heq dorë nga ato që vendi komunist i quan politika “armiqësore” ndaj Phenianit.
Zëvendës Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Choe Son Hui lëshoi deklaratën pas komenteve të ish këshilltarit të sigurisë kombëtare John Bolton për gazetarët në Nju Jork në fillim të kësaj jave se Presidenti Donald Trump mund të zhvillojë një tjetër samit me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un si një “surprizë tetori” pak para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
“A është e mundur të ketë dialog ose marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara, një vend që vazhdon politikën armiqësore ndaj Koresë së Veriut dhe nuk respekton marrëveshjet tashmë të arritura në takimin e fundit?”, thuhet në deklaratën e Zëvendës Ministrit të Jashtëm Choe.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili ka punuar intensivisht për të ringjallur negociatat midis Uashingtonit dhe Phenianit, shprehu optimizëm në një video-konferencë me udhëheqësit evropianë, gjithashtu këtë javë, se Presidenti Trump dhe udhëheqësi koreanoverior Kim do të takoheshin përsëri para zgjedhjeve.
Presidenti Trump dhe udhëheqësi koreanoverior Kim Jong-Un janë takuar tre herë që nga viti 2018 për të diskutuar mbi çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut, por negociatat u ndërprenë pas samitit të tyre të dytë në Vietnam në shkurt të vitit 2019, në të cilin Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesat e Koresë së Veriut për lehtësime të konsiderueshme të sanksioneve si kusht për të hequr dorë pjesërisht nga ambiciet bërthamore. /VOA/
Top Channel