Presidenti Ilir Meta dekoroi atasheun ushtarak italin, Kolonelin Fabio Cornacchia me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të çmuar për forcimin e urave të bashkëpunimit, me qëllim rritjen e kapaciteteve akademike dhe profesionale të ushtarakëve shqiptarë sipas standardeve euroatlantike. Me mirënjohje për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve dhe popujve miq”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë e veçantë të organizimit të një ceremonie solemne për të nderuar Kolonelin Cornacchia, ushtarak i një vendi partner strategjik të gjithanshëm, Italisë.
Ndër të tjera Kreu i Shtetit u shpreh:
“Kolonel Cornacchia ka një përvojë të shkëlqyer, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera me forcat e NATO-s.
Misioni i parë i tij në vendin tonë ka qenë në vitin 1999, gjatë Luftës së Kosovës, ku kontribuoi si pjesë e operacionit të forcave të NATO-s, për të përballuar krizën e refugjatëve në atë situatë të vështirë dhe historike.
Ajo eksperiencë la gjurmë të forta në kujtesën e tij ndaj edhe kur iu ofrua mundësia të kthehej në Shqipëri rreth dy dekada më vonë si Atashe Ushtarak i Italisë, e priti me shumë kënaqësi.
Gjatë këtyre si Atashe Ushtarak në vendin tonë ai ka dhënë një kontribut të shkëlqyer për të forcuar bashkëpunimin shumë të mirë midis forcave ushtarake italiane dhe atyre shqiptare në të gjitha drejtimet.
Sidomos lidhur me edukimin dhe formimin e ushtarakëve tanë në shkollat ushtarake italiane, stërvitjet dhe përgatitjet për operacione të përbashkëta të policisë ushtarake dhe karabinierisë, së fundmi edhe në fushën e shëndetësisë ushtarake. Në veçanti falenderojmë Kolonel Cornacchia për angazhimin e tij në kohën e vështirë të pandemisë, për të lehtësuar procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve shqiptarë për ndjekjen e studimeve në fushën ushtarake në Itali.
Profesionalizmi, korrektësia dhe komunikimi i tij i shkëlqyer me kolegët shqiptarë por edhe të vendeve partnere, ndërveprimi dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me të gjitha institucionet shqiptare e kanë bërë Kolonel Cornacchia një bashkëpunëtor mjaft të çmuar të Forcave të Armatosura të vendit tonë.
Pas 3 vitesh shërbim si atashe ushtarak, Kolonel Cornacchia do të largohet nga Shqipëria për t’u kthyer në Itali. Por jam i sigurt se të dyja përvojat e tij në vendin tonë e kanë bërë një mik të pandashëm të Shqipërisë dhe jam i sigurt se gjithmonë do të jetë një mbështetës i marrëdhënieve tona, por edhe një promovues i të gjitha bukurive të Shqipërisë.
Njëkohësisht dua ta falënderoj për të gjithë përkushtimin e tij, profesionalizimin dhe integritetin e treguar!”, – u shpreh Presidenti Meta.
Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes, znj.Olta Xhaçka, ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Sh.T.Z Fabrizio Bucci, përfaqësues institucionesh dhe autoritete vendore, familjarë, miq dhe kolegë të atasheut ushtarak.
Top Channel