Festa e Pavarësisë në SHBA, si asnjëherë më parë

05/07/2020 12:43

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënuan një ditë Pavarësia si asnjëherë tjetër me presidentin Donald Trump, që u shfry ndaj kundërshtarëve të brendshëm dhe Kinës por që lëvdoi reagimin e vendit ndaj koronavirusit pavarësisht një rritjeje rekord të rasteve të infektimit.

Në të gjithë vendin, frika e virusit minimizoi ose anuloi paradat nëpër rrugë, barbekjutë nëpër oborre dhe takimet familjare në një ditë kur amerikanët zakonisht festojnë deklaratën e pavarësisë nga Britania të 1776. Në vend që të adaptonte një ton unifikues, Trump, që përballet me një fushatë të vështirë për rizgjedhje dhe që do të elektrizojë bazën e tij politike, kritikoi protestuesit që kërkojnë drejtësi pas vdekjes së afro amerikanit George Floyd në duart e policisë.

“Ne jemi tani në procesin e mundjes së të majtës radikale, marksistëve, anarkistëve, agjitatorëve dhe grabitësve. Protestuesit anti racizëm që kanë marshuar në qytetet amerikane nuk janë të interesuar për drejtësinë. Qëllimi i tyre është shkatërrimi”.

Duke folur nga lëndina e shtëpisë së bardhë, Trump iu drejtua një audience që përfshinte punonjës të sektorit të shëndetësisë që janë vënë përballë covid 19, që i ka marrë jetën rreth 130 mijë amerikanëve. Ai akuzoi kinën, ku edhe filloi pandemia, për një mbulim që lejoi që sëmundja të përhapej në të gjithë globin, por lëvdoi aftësitë e shkëlqyera shkencore të Amerikës.

“Ne do të kemi një terapi apo vaksinë shumë përpara fundit të vitit”.

Fjalimi i Trump erdhi ndërsa plazhet më popullore në vend, që normalisht mbushen plot më 4 korrik, ishin të mbyllura pasi Kalifornia dhe Florida janë përballur me shifra rekord të infektimeve. Zyrtarët lokalë kishin paralajmëruar njerëzit të evitonin festimet e mëdha dhe të qëndronin të sigurt në shtëpitë e tyre. Fishekzjarret janë zakonisht pika kulminante e festës, por rreth 80 për qind e eventeve u anuluan këtë vit. Sidoqoftë, spektakle fishekzjarresh pati në Uashington.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA