Ligjvënësit kërkojnë më shumë mbikëqyrje të buxhetit pas pushimeve nga puna në Agjencinë Amerikane për Media Globale

04/07/2020 08:18

Ligjvënësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve publikuan një letër të hapur të premten ku shprehin shqetësim për pushimet e fundit nga puna të krerëve të disa rrjeteve të lajmeve nën ombrellën e Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), duke kërkuar më shumë transparencë në strategjinë e agjencisë dhe duke sugjeruar se Dhoma e Përfaqësuesve duhet të “konsiderojë mundësinë e mbrojtjes së financimit të disa pjesëve të USAGM”.

Një grup prej 11 ligjvënësish i dërgoi një letër të premten krerëve të Nënkomisionit të Llogaridhënies, Operacioneve të Huaja dhe Programeve të Ndërlidhura, duke deklaruar se janë “thellësisht të shqetësuar për pushimet nga puna të drejtuesve të kualifikuar” dhe “njoftimet se USAGM ka ngrirë fonde dhe grante “për programet që synojnë shmangien e censurës dhe sigurimin e mjeteve për lirinë e internetit në Hong Kong dhe gjetkë.

Nënshkruar nga Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve Eliot Engel, Kryetari i Komisionit të Inteligjencës Adam Schiff dhe demokratë të tjerë të lartë, letra shpreh alarmin për ndryshimet e bëra nga Drejtori i ri Ekzekutiv i USAGM, Michael Pack, i cili u konfirmua nga Senati për të udhëhequr agjencinë muajin e kaluar. Përtej çështjeve të personelit dhe buxhetit, ligjvënësit shprehën shqetësimin se “raportimi i bazuar tek e vërteta” i agjencisë do të rrezikohej nëse cënohet pavarësia e saj redaksionale.

Letra u dërgua përpara seancës dëgjimore të planifikuar për të hënën në Kongres mbi mbikëqyrjen e agjencisë nga nënkomisioni që ndihmon në vendosjen e fondeve për USAGM.

Më herët gjatë javës, një grup senatorësh nga të dyja partitë i dërguan një letër zotit Pack ku thanë se planifikojnë të rishikojnë fondet e agjencisë USAGM pas zhvillimeve të fundit. Senatorët thanë se ishin “thellësisht të shqetësuar” nga vendimi i zotit Pack për të pushuar nga puna shefat e Radios Azia e Lirë; Radios Evropa e Lirë/Radio Liria; Rrjetit për Trasmetimet për Lindjen e Mesme; si edhe të Fondit për Teknologji të Hapur.

“Këto veprime që u bënë pa asnjë konsultim apo as me një njoftim të Kongresit, ngrenë pikëpyetje serioze lidhur me të ardhmen e Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM) nën udhëheqjen tuaj”, shkruajnë senatorët.

Pack dhe USAGM nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Zërit të Amerikës në lidhje me letrat e ligjvënësve.

Në një email për stafin e USAGM menjëherë pas marrjes së detyrës, Pack premtoi të respektojë statutin e Zërit të Amerikës dhe pavarësinë redaksionale të agjencisë së lajmeve, që është e mandatuar me ligj federal. Këtë javë, Pack emëroi punonjës të karrierës në Zërit të Amerikës, Radion Azia e Lirë, Rrjetet e Transmetimit të Lindjes së Mesme dhe Radion Evropa e Lirë / Radio Liria si drejtues në detyrë të secilës agjenci. Në Zyrën për Transmetimet për Kubën, ai emëroi Jeffrey Scott Shapiro, një avokat, analist i çështjeve ligjore dhe gazetar që ka punuar në faqen elektronike të lajmeve Breitbart para se të bëhej këshilltar në këtë zyrë në vitin 2017, si ushtrues në detyrën e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit kryesor.

Senati konfirmoi zotin Pack më 4 qershor, dy vjet pasi Presidenti Donald Trump e emëroi atë në krye të agjencisë që mbikëqyr rrjetet e lajmeve të financuara nga qeveria amerikane. Pack tha se emërimet e njoftuara të martën, “do të shërbejnë në role kritike për të lejuar rrjetet tona që të arrijnë rezultate më të larta dhe t’i shërbejnë më me efektivitet audiencës sonë.”

Së bashku, pesë rrjetet e lajmeve USAGM, përfshi Zërin e Amerikës, kanë një audiencë javore globale prej më shumë se 350 milionë dëgjuesish, shikuesish dhe përdorues të internetit në 61 gjuhë.

Presidenti Trump e ka akuzuar kohët e fundit Zërin e Amerikës se ka anuar pro-Kinës në raportimet e saj për trajtimin nga Pekini të shpërthimit të koronavirusit./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA