Kosnett: Populli i SHBA-së dhe Kosovës ndajnë vlera të përbashkëta

04/07/2020 11:07

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett ka uruar 244-vjetorin e pavarësisë së këtij vendi.

Ambasadori Kosnett tha se SHBA-ja dhe Kosova ndajnë vlera dhe atribute, duke shtuar se SHBA-ja ka qëndruar pranë Kosovën për ta bërë të pavarur dhe sot vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në luftën kundër terrorizmit dhe pandemisë së koronavirusit.

“Populli i SHBA-së dhe i Kosovës ndajnë shumë vlera dhe atribute. Populli ynë është i fortë dhe i mençur, kreativ, i dhembshur dhe i shkathët. Si miq, partnerë, ne i jemi përgjigjur njëri-tjetrit kur kemi pasur nevojë. Ne qëndruam së bashku për ta bërë Kosovën të pavarur, qëndruam së bashku pas sulmeve të 11 shtatorit dhe në luftën kundër terrorizmit global.Ne qëndrojmë së bashku edhe në përballjen me pandeminë globale”, tha Kosnett.

Sipas ambasadorit Kosnett, duhet angazhim qytetar që një shtet të ketë demokraci. Ai tha se në kohën kur SHBA-ja po përballet me trazira, ku protestuesit po kundërshtojnë racizmin dhe pabarazinë, ka shpresë se do të ndodhin ndryshime pozitive.

“Në Amerikë, si në çdo vend, demokracia nuk është sport spektatorësh. Demokracia kërkon angazhim dhe këmbëngulje aktive të qytetarëve. Po ashtu kërkon ndershmëri dhe përulësi për të adresuar dobësitë tona dhe për të mësuar nga dështimet tona. Kjo është kohë e trazirave dhe ankthit në Amerikë – por gjithashtu e shpresës. Ka shpresë se ndryshimet pozitive mund të vijnë vetëm përmes angazhimit qytetar. Dhe e njëjta mund të thuhet edhe për Kosovën”, tha ambasadori Kosnett.

Ambasadori amerikan në Prishtinë në adresimin e tij për Ditën e Pavarësisë, theksoi përkushtimin e SHBA-së për të ndërtuar një shoqëri dhe një të ardhme për brezat që do të vijnë.

“Në këtë Ditë të Pavarësisë së SHBA-së, le të zotohemi se do të bëjmë përpjekje për të ndërtuar shoqëri –për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët – duke reflektuar mbi ëndërrta e themeluesve të shtetit amerikan dhe për të përmbushur detyrimet tona, për brezat që do të vijnë”, tha Kosnett.

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë uruar SHBA-në për Ditën e Pavarësisë, duke e falënderuar këtë shtet për përkrahjen e dhënë për Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA