Arkeologët kanë zbuluar për të parën herë artefakte aborigjene në fundin e detit në Australi, duke hapur mundësinë për zbulimin e vendqëndrimeve të lashta të përmbytura që nga koha e epokës së fundit të akullit.
Qindra objekte të lashta prej guri të bëra nga indigjenët australianë të paktën 7 mijë vite më parë, u zbuluan dy metra nën ujë pranë brigjeve të largëta të Australisë perëndimore. Në një sajt të dytë janë zbuluar gjurmë të aktiviteteve njerëzore 14 metra nën nivelin e detit, të paktën 8500-vjeçare edhe pse kërkuesit besojnë se të dyja këto pika mund të jenë akoma më të lashta.
Arkeologët thonë se zbulimi shënon një hap të parë drejt gjetjes së më shumë sajteve aborigjene që mendohet se janë mbuluar nga uji që kur epoka e fundit e akullit nisi mes 18 mijë dhe 8 mijë viteve më parë. Ekspertët thonë se rritja e nivelit të detit ka bërë që të mbulohet nën ujë më shumë se 30 përqind e kontinentit. Një sasi e madhe provash arkeologjikë që dokumentojnë jetën e aborigjenëve ka përfunduar nën ujë. Tani, ata kanë siguruar edhe provën e parë, se disa nga këto prova arkeologjike i kanë mbijetuar procesit të rritjes së nivelit të deteve.
Ekipet e zhytësve kanë mundur të gjejnë 269 artefakte rreth 2.4 metra nën det, e po ashtu kanë gjetur edhe një burim nënujor atje. Arkeologët kanë gjetur sajte aborigjene në brendësi të Australisë që datojnë të paktën 65 mijë vite më parë. Njerëzit e parë në kontinent besohet se kanë mbërritur nga Azia juglindore, përmes detit ose përmes urave tokësore që më pas janë zhytur nën ujë.
Top Channel