Çfarë ndodhi? Trump ndryshon ton: Jam pro maskave mbrojtëse

02/07/2020 12:29

Presidenti amerikan, Donald Trump, prej kohësh ka kundërshtuar mbajtjen e një maske mbrojtëse në publik por tani thotë se ai është totalisht pro maskave.

Trump po ashtu tha se maskat mbrojtëse nuk duhet të bëhen të detyrueshme për të ndaluar përhapjen e Covid-19. Ai edhe një herë parashikoi se infeksioni do të zhduket, ndërsa SHBA shënoi një tjetër rekord me 52 mijë raste të reja në një ditë të vetme. Komentet e tij në “Fox News” vijnë një ditë pasi republikanë të profilit të lartë i kërkuan Trump të mbante maskë për të dhënë shembullin personal. SHBA ka tani rreth 2.7 milionë raste të konfirmuara të koronavirusit dhe më shumë se 128 mijë viktima.

“Unë jam totalisht pro maskave. Nëse unë do të jem në një situatë ku do të jem në kontakt të afërt me njerëzit do ta mbaj atë, patjetër. Ka njerëz që më kanë parë me maskë edhe më parë”, tha Trump.

Trump u shpreh se ai nuk do të kishte asnjë problem me mbajtjen e një maske në publik dhe se atij i pëlqente se si dukej me të, duke e krahasuar veten me Lone Ranger, një hero të maskuar që bashkë me mikun e tij indian, Tonto, luftuan të paligjshmit në perëndimin e vjetër amerikan. Gjatë festimit të pritshëm të ditës së pavarësisë, më 3 korrik në malin Rushmore, mbështetësit e Trump që do të jenë të pranishëm nuk do të detyrohen të mbajnë maskë apo të ruajnë distancat sociale. Kur në fillim të prillit, qendrat amerikane për kontrollin e sëmundjeve nisën të rekomandonin mbajtjen e maskave në publik, për të ndaluar përhapjen e virusit, Trump tha se ai nuk do ta bënte një gjë të tillë. Ai ka përsëritur në vazhdimësi se zgjedhja për të ndjekur udhëzimet e zyrtarëve të shëndetit për maskat, është një vendim personal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA