Një e moshuar 94-vjeçare në Indi, e cila ishte shpallur e humbur nga familjarët që para 40 viteve, është ribashkuar sërish me ta. Panchu Bai, e cila vuante nga problemet mendore, u shpall e zhdukur nga familjarët në vitin 1979.
Panchu besohet se ka dalë në një autostradë dhe ka humbur rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Fatmirësisht një familje e gjeti dhe u kujdes për të. Noor Mohammad, burri që gjeti të moshuarën dhe u kujdes për të për 40 vite, së fundmi e ka rikthyer të moshuarën në shtëpinë e saj të vërtetë. Zbulimi i familjes së saj u bë krejt rastësish.
Djali i Noor, Esrar Khan gjatë periudhës së pandemisë e pyeste shpesh të moshuarën për të kaluarën dhe në një moment ajo tregoi fshatin e lindjes.
“Ajo na tha se fshati i saj i lindjes ishte Paraspur. Kontrolluam në internet për të dhe rezultoi se ishte e saktë. Shkuam atje dhe e gjetëm familjen e saj të vërtetë. Ne nuk kemi reshtur së kërkuari për ta gjetur atë familje, por shëndeti mendor i Panchu nuk është fort i mirë dhe ajo nuk na ka rrëfyer asnjë të dhënë për vite të tëra”, u shpreh Esrar.
Djali i të moshuarës kishte ndërruar jetë para disa vitesh dhe në shtëpinë e vjetër e priti i nipi, Shingane, i cili u shpreh shumë i gëzuar që më në fund kanë pranë tyre gjyshen.
“Nuk mund ta shpreh lumturinë time. Ndihem me fat që kam ende gjallë gjyshen. Unë isha tepër i vogël kur ajo humbi. Babai im e ka kërkuar prej kohësh, por nuk mundëm ta gjenim. Falenderojmë familjen e zotit Mohammed, që u kujdesën për gjyshen për kaq shumë vite”, u shpreh.
Top Channel