Pas kronikës së transmetuar në TCH mbi hedhjen dhe diegjen e mbetjeve urbane të Kavajës në një vendgrumbullim të paligjshëm në fshatin Kazie, në një territor kufitar mes bashkisë së Kavajës dhe asaj të Rrogozhinës, ka reaguar bashkia e Kavajës e cila thotë se do ta ndjekë më tej çështjen.
“Grupet tona të terrenit e verifikuan këtë zonë pas kronikës tuaj. Nuk ishim në dijeni. Ndotjet urbane na prekin të gjithëve dhe i kemi me përparësi. Grupet e terrenit na thanë që nuk e kap zona e Kavajës këtë vendgrumbullim. Bashkia e Kavajës operon me firmë pastrimi me kontraktor privat. Në kontratën e bashkisë me firmën e pastrimit thuhet se mbetjet derdhen në Sharrë. Firma e pastrimit na ka konfirmuar se i hedh në Sharrë mbetjet tona”, tha Guxim Kola, nënkryetar i bashkisë Kavajë.
Ndryshe nga ç’deklaron firma e pastrimit pranë bashkisë Kavajë, kamionë të ndryshëm janë fotografuar dhe filmuar nga banorë, të ngarkuar me mbetje që i hedhin në vendgrumbullimin e paligjshëm të Kazies. Njëri nga kamionët verifikohet nga bashkia Kavajë se është i kompanisë së pastrimit “Alko Impeks” shpk, po prania e saj në vendgrumbullim, duke mos e ditur se kur është realizuar foto dhe video, u justifikua me punën e nisur për sistemimin e vendgrumbullimit të paligjshëm. Pretendim ky që bie ndesh edhe me deklarimin e bashkisë Kavajë se vendgrumbullimi nuk ndodhet në territorin e saj, po në atë të Rrogozhinës.
Kosto e lartë e transportit bën që kompania të devijojë rrugën dhe të depozitojë një pjesë të mbetjeve në Kazie dhe jo në Sharrë, siç përcaktohet në kontratën me bashkinë e Kavajës. Ndërkohë situata ka krijuar shqetësim edhe në bashkinë e Rrogozhinës.
“Ne kemi problem me mbetjet urbane në shkallë bashkie, ndërsa interferimi i kësaj zone është jashtë juridiksionit tonë dhe nëse do të verifikojmë se Kavaja do të depozitojë mbetje brenda territorit të bashkisë Rrogozhinë ne do të marrim masa administrative për ta pezulluar depozitimin e mbetjeve dhe gjoba ndaj subjekteve që i hedhin aty”, shprehet Xhavit Halili, nënkryetar i bashkisë Rrogozhinë.
Pas verifikimit në terren, nënkryetari Halili shprehet se vendgrumbullimi nuk i përket Rrogozhinës, por i është lënë detyrë njësisë administrative Kryevidh, që është në kufi me Synejin e Kavajës që të monitorojë lëvizjes dhe hedhjen e mbetjeve në atë zonë për të raportuar pranë instancave përkatëse me fakte ata që ndosin ajrin në një zonë me potencial turistik për të dyja bashkitë.
Top Channel