Kryetarja e parlamentit serb, Maja Gojkovic, ministri i mbrojtjes Aleksander Vulin dhe shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Marko Gjuric, kanë rezultuar pozitivë për covid 19, sipas raporteve të mediave serbe.
Të gjithë ata ishin të pranishëm në festën e fitores së partisë progresive serbe, të presidentit Aleksander Vucic, pas zgjedhjeve të së dielës së shkuar. Portali i lajmeve Nova, raporton se kryetarja e kuvendit është e shtruar në spital ndërsa Vulin dhe Gjuric janë në vetizolim pasi deri më tani, sipas Danas, nuk kanë zhvilluar simptoma.
Edhe disa zyrtarë të tjerë të qeverisë në ministrinë e mbrojtjes dhe atë të jashtme, si edhe kryetari i dhomës së tregtisë, Marko Cadez, kanë rezultuar po ashtu pozitivë.
Prania e Gojkovic, Vulin dhe Gjuric në festimin e fitores së partisë në pushtet, pas zgjedhjeve të së dielës, pa masa të distancimit social, ka shkaktuar shumë komente e polemika në rrjetet sociale. Një foto është ndarë gjerësisht në twitter dhe tregon Gojkovic, Vulin dhe Gjuric në shoqërinë e kryeministres Ana Brnabic dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit, Nikola Selakovic.
Këshilltarja për mediat e presidentit, tha ndërkohë se publiku do të njoftohet për shëndetin e këtij të fundit nëse do të ketë ndryshime. “nuk është turp të infektohesh dhe nëse do të ketë ndonjë ndryshim në shëndetin e presidentit, ju do të informoheni”, tha ajo pas lajmit se zyrtarët, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë në kontakt me presidentin Vuçiç, rezultuan pozitivë.
Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, Vuçiç mori pjesë në paradën e ditës së fitores në Moskë, ku ai u takua me presidentin Vladimir Putin, e më pas u ndal në Bruksel, ku u takua me presidenten e komisionit evropian dhe komisionerin e zgjerimit.
Vuçiç u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE për dialogun Kosovë-Serbi, që vizitoi Beogradin të hënën.
Top Channel