Një racist, vrasës i dyfishtë i tha sot në gjykatë një gruaje që shpëtoi nga sulmi i tij: “Duhet të të kisha vrarë”.
Në pamjet e publikuara nga mediat amerikane shihej vrasësi racist Jeremy Christian që u tërbua dhe u nxorr nga salla e gjyqit në Portland, SHBA, kur viktima e sulmit të tij Demestria Hester dha deklaratën e saj.
Mes të tjerash në fjalën e saj Hester u kthye nga Christian dhe i tha: “Nëna jote duhet të të kishte ngrënë, ti je një frymë e harxhuar dhe kur të vdesësh shpresoj që të kalbesh”.
Ndërsa Christian u përgjigj: “Do të takohemi aty k*rvë”, para se të niste një varg ofendimesh racore ndaj Hester.
Supremacisti i bardhë tha më tej: “Shko kthehu në Tennessee. Nuk ju duam këtu ju që ngacmoheni për racën. K*urvë, na ngatërruat gjithë qytetin. George Floyd! George Floyd! Duhet të të kisha vrarë …të gjithë e dinë që je gënjeshtare. Je një k*urvë gënjeshtare!”
Christian po gjykohej për vrasjen e dy njerëzve në një tren qytetar në Portland në maj 2017, ngjarje që ishte kapur nga kamerat e sigurisë.
Ndërsa një ditë para vrasjes së dyfishtë ishte konfrontuar me Hester të cilën e kishte ofenduar me një seri sharjesh raciste dhe e kishte goditur me një shishe, duke e lënë me një sy të nxirë.
Gjyqi pritet të zgjasë disa ditë pasi të japin dëshminë të afërmit e viktimave, 53 vjeçarit Ricky John Best, dhe Taliesin Myrddin Namkai-Meche, 23 vjeç.
Të dy ata ishin vrarë me thikë nga Christian kur ndërhynë për ta ndaluar teksa shante dhe ofendonte dy vajza muslimane adoleshente në tren.
Top Channel