Pas vizitës në Kalivaç, itinerari i “Balkan River Tur” është më tej drejt rrjedhës së Vjosës në fshatin Poçem të Mallakastrës, ku është planifikuar diga e dytë më e madhe në këtë rrjet ujor. Një shpend krenar na befason gjatë lundrimit. Sipër, shquhet në lartësi një Shqiponjë, simboli ynë kombëtar. Shpendi qëndron pezull për disa çaste pa u larguar.

“Mendoj se njerëzit kanë jetuar gjithnjë pranë lumenjve. Kemi një lidhje të fortë me lumenjtë. Të gjitha qytetërimet kanë nisur buzë lumenjve. Më pëlqen aroma, pamja. Më pëlqen çdo gjë për lumenjtë. Mund të ëndërroj buzë një lumi, të notoj. Mund të laj dhëmbët, të pastrohem. Është parajsë. Kaq e thjeshtë”, thotë Rock Rozman, Balkan River Difence.

Ndalemi në fshatin Qesarat. Aty, takohemi me Arjan Zeqaj. Ai ka punuar në emigrim dhe të gjitha të ardhurat i ka investuar në një biznes në fshatin e lindjes, ku u rikthye për të jetuar. Biznesi i ngritur në anë të rrugës i ka siguruar të ardhura për mbajtjen e familjes, por diga rrezikon gjithçka. Arjani është kundër ndërtimit të HEC-it të Kalivaçit, pasi baseni do të përmbyste tërë zonën.

“Duke u ngritur ajo, mbyllet biznesi, përmbytet rruga kryesore e tërë zonës këtu, ikën shkolla, qendra komunës dhe detyrimisht, duhet të iki dhe fshati, 3 fshatra Anë Vjosë, Iliras e Qesarat. Lumi Vjosa është i lidhur me gjithë veprimtarinë e komplet zonës”, tregon Arjan Zeqaj, Banor i Qesaratit. Arjani shton se shteti i ka favorizuar koncesionarët që do të ndërtojnë digat, mbi kurrizin e tyre, duke shkatërruar çdo aktivitet tregtar. Për këto projekte, ai thotë se askush nuk është pyetur pasi dëgjesat publike janë bërë vetëm formalisht në dokumente. Askush nuk është ulur me banorët.

“Asnjë lloj konfirmimi nuk është marrë veç 2-3 takimeve nga ish kompania e Bechetit, ka marrë 2-3 takime me njerëzit dhe absolutisht populli nuk ka qenë dakord për hec. Jo, nuk është bërë asnjë lloj dëgjese veçse në fushata është thënë që nuk do bëhet ndërtimi HEC-it”, thotë Arjan Zeqaj, Banor i Qesaratit. Arjani, nuk e ka fshirë nga memorja një deklaratë të kryeministrit Edi Rama nga kjo zonë në fushatën e vitit 2015 për zgjedhjet vendore.
“Unë do ti bëja mesazh Kryeministrit të mbajë llafin që ka premtuar gjatë fushatës”, thotë Arjan Zeqaj, Banor i Qesaratit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA