Në garë për vaksinën/ Rivalitet mes Kinës e SHBA-së, paralajmërimi i fortë…

23/06/2020 08:29

Kërkimet për një vaksinë kundër virusit Corona po shoqërohen nga një hije rivaliteti mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. A mund ta vështirësojnë nacionalizmi dhe interesat për pushtet fushatën botërore të vaksinimit?

Nga shtatë kandidatët për vaksina që janë aktualisht në fazën e dytë të testimit nga OBSH-ja tri janë zhvilluar nga kompani ose institucione kërkimore kineze dhe dy nga amerikane.

Shtëpia e Bardhë planifikon të shpenzojë 10 miliardë dollarë për testimin, prodhimin dhe blerjen e një ose më shumë vaksinave. Në kuadër të të ashtuquajturit operacioni “Warp Speed” ” deri në janar 2021 pritet të sigurohen të paktën 300 milionë doza vaksinash. Ne këtë proces janë të përfshirë gjashtë kompani farmaceutike amerikane si dhe grupi britanik-suedez Astrazeneca.

Operacioni i udhëhequr nga Departamenti i Shëndetit i SHBA-së drejtohet nga gjenerali amerikan Gustave Perna. Në dëgjimin e tij para senatit amerikan javën e kaluar, Perna tha se është i gatshëm të “punojë me çdo vend që ofron informacione ose bashkëpunim në zhvillimin e vaksinave ose tä ilaçeve”. Por njëkohësisht gjenerali bëri të qartë se Kina nuk bën pjesë ndër to.

Lajme për suksese dhe paralajmërime për hakerë

Ndërmarrja farmaceutike Moderna nga Masaçusets ishte kompania e parë që filloi provat klinike tek vullnetarët në mars dhe njoftoi rezultate paraprake pozitive në mes të muajit maj. Prodhimi mund të fillojë në korrik, tha kompania. Një javë pas njoftimit për suksesin nga kompania Moderna, FBI dhe Enti Amerikan për Mbrojtjen Kibernetike CISA paralajmëruan për sulme hakerësh nga Pekini që synonin të vjedhin rezultatet e kërkimeve amerikane mbi vaksinën për Coronën. Senatori Rick Perry i përsëriti këto pretendime në BBC. Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit kinez reagoi me fjalët: “Ju lutemi paraqisni prova që Kina po saboton përpjekjet perëndimore për të zhvilluar një vaksinë. Ju nuk ka pse të keni fare frikë.”
David Fidler nga Këshilli Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme i tha DW se nuk kishte dyshim se “Kina dhe vendet e tjera po përpiqen të marrin informacione mbi aktivitetet e organizatave amerikane në lidhje me pandeminë, përfshirë edhe zhvillimin të një vaksine ”. Po ai tha gjithashtu se nuk do të befasohej nëse edhe Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre po kryejnë spiunazh kibernetik kundrejt instituteve kineze të kërkimit.

“Krah për krah me të gjithë botën”

Kina, ku u shfaq për herë të parë virusi, ishte vendi i parë që publikoi në janar sekuencën e gjenomit të virusit. Kina e paraqet zhvillimin e vaksinës si një “luftë të vendosur” që ajo po zhvillon “krah për krah” me të gjithë botën. Në mars kompania kineze CanSino në bashkëpunim me Akademinë Kineze të Shkencave Ushtarake, njoftuan për rezultate paraprake pozitive në testimin e një vaksine në fazën e parë. 500 vetë në një spital në Wuhan janë përfshirë tani në testimet për fazën e dytë. Javën e kaluar kompania SinoVac njoftoi gjithashtu për rezultate premtuese pas testimit të vaksinës në 743 vetë.

Chang Lung-Ji, drejtor i laboratorit të Institutit Mjekësor Geno-Imunune në Shenzhen, i cili po punon gjithashtu për zhvillimin e një vaksine, i tha DW, “Falë ekspertizës së saj në mjekësinë molekulare, Kina mund ta ndihmojë SHBA në garën për gjetjen një vaksine kundër COVID 19 “. Sidoqoftë Kina është akoma e varur nga importet e teknologjisë së lartë kur bëhet fjalë për prodhimin masiv të një vaksine, kështu që ajo ka nevojë për mbështetjen e vendeve të huaja.

Solidaritet dhe interesa vetiake

Gjatë një takim të OBSH-së në maj Presidenti i Kinës Xi Jinping tha se vendi i tij do ta vërë në dispozicion vaksinën si një “të mirë publike globale”. Kjo e veçon Pekinin nga Shtetet e Bashkuara, që nuk e ka miratuar rezolutën e OBSH-së që vaksinat duhet të vihet në dispozicion “në mënyrë të drejtë “.

Kryetari i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA, i cili është i përfshirë në zhvillimin e vaksinave, tha se çdo vaksinë do t’u vihet në dispozicion atyre që kanë nevojë më shumë në të gjithë botën.
“Si Shtetet e Bashkuara dhe Kina do ta vënë në dispozicion një vaksinë efektive dhe të sigurt në mënyrë të tillë që t’u shërbejë interesave të tyre kombëtare,” tha eksperti Fidler. Dhe vendet më pak të forta financiarisht duhet të jenë të vetëdijshme që ofrimi i vaksinës qoftë nga Kina qoftë nga Amerika do të lidhet me kushte politike. Sidoqoftë kjo është hera e parë që zhvillimi i një vaksine pandemike lidhet me konsiderata gjeopolitike, dhe “prandaj është e paqartë se si do të përfundojë kjo,” thotë Fidler.

Nuk priten konflikte globale për shpërndarjen e vaksinës

Aktualisht në botë po testohen rreth 120 vaksina kundër Covid19. Në Gjermani kompania Curevac nga Tybingeni ka filluar fazën e parë të testimit të një vaksine. Qeveria gjermane investoi tek kjo kompani 300 milion euro, pasi qeveria amerikane kishte treguar gjithashtu interes për Curevac. “Duke pasur parasysh numrin e madh të projekteve për zhvillimin e një vaksine në vende dhe kontinente të ndryshme, ne nuk presim konflikte globale për shpërndarjen e saj,” tha Han Steutel, Presidenti i Shoqatës së Kërkimit të Kompanive Farmaceutike në Gjermani (vfa) për DW. “Ne mendojmë se vaksinimet mund të fillojnë pak a shumë në të njëjtën kohë në disa vende.”/ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA