Nisin bisedimet për ruajtjen e traktatit bërthamor mes SHBA-së dhe Rusisë

22/06/2020 13:03

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë nisur të hënën bisedimet dyditore rreth marrëveshjes së tyre bërthamore të ashtuquajtur, Traktati për Zvogëlim të Armëve Strategjike, i cili përcakton numrin e kokave bërthamore me rreze të gjatë që mund të ketë secili shtet.

Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga negociatori për kontrollin e arëmve, Marshall Billingslea, derisa Rusia ka dërguar zëvendës-ministrin e Jashtëm, Sergei Ryabkov.

Kjo marrëveshje, që skadon në shkurt të vitit të ardhshëm, përcakton që secili shtet mund të ketë deri në 1,550 koka bërthamore me rreze të gjatë.

Si Billingslea ashtu edhe Ryabkov, kanë qenë të rezervuar në deklaratat e tyre, teksa kanë nisur bisedimet në Vjenë.

“Do ta shohim”, ka thënë Billingslea, kur është pyetur se çfarë pret të ndodhë në bisedime.

Ryabkov po ashtu u ka thënë gazetarëve: “Do ta shohim, do ta shohim. Ne kemi gjithmonë shpresë”.

Më 20 qershor, Ryabkov i ka thënë agjencisë së lajmeve, Interfax se Rusia nuk ka më argumente për zgjatje të marrëveshjes, mirëpo megjithatë do ta ngrisë këtë si ide.

“Ne vazhdimisht ua kemi përsëritur amerikanëve pse mendojmë se është i mirë vendimi për zgjatje të traktatit”, ka thënë ai.

“Ne nuk kemi më argumente përveç atyre që u kemi treguar. Natyrisht, ne do ta shfrytëzojmë mundësinë për t’ua kujtuar pozicionin tonë”.

Megjithatë, Moska ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e nisjes së garës së re të armëve, nëse traktati nuk vazhdohet.

Presidenti amerikan, Donald Trump është larguar apo ka lënë që t’iu skadojë mandati një vargu marrëveshjesh, duke përfshirë Traktatin për Armë Bërthamore me Rreze të Mesme, dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se marrëveshjet me Rusinë për kontrollin e armëve i përkasin të kaluarës dhe se Kina duhet të përfshihet në marrëveshjet eventuale të së ardhmes, sa u përket çështjeve bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA