Instituti Kombëtar i Shëndetit njoftoi të shtunën se i ka ndalur provat klinike që synonin të vlerësonin sigurinë dhe efektivitetin e ilaçit kundër sëmundjes së malaries, në trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Studimi zbuloi se hidroksiklorokina, të cilën Presidenti Donald Trump e ka reklamuar vazhdimisht si një trajtim të mundshëm ndaj sëmundjes, “nuk u dha asnjë përfitim pacientëve, por gjithashtu nuk u shkaktoi dëme”, sipas deklaratës së institutit.
Në fillim të kësaj jave Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se provat klinike qëpo zhvilloheshin në masë në disa vende me hidroksiklorokinë, u ndërprenë pasi të dhënat dhe studimet e reja treguan se ilaçi nuk po sillte asnjë përfitim në trajtimin e të prekurve nga COVID-19. Të hënën Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave anuloi vendimin e saj që autorizonte përdorimin për raste emergjence të hidroksiklorokinës për të trajtuar sëmundjen.
Zoti Trump e kishte reklamuar ilaçin si një trajtim të mundshëm për COVID-19. Në një pohim të tij në muajin mars zoti Trump tha se ilaçi mund të ketë një “ndikim domethënës në historinë e sistemit shëndetësor” kur përdoret në kombinim me antibiotikun, azitromicinë. Muajin e kaluar, në një njoftim të beftë, zoti Trump tha se po merrte disa doza të hidroksiklorokinës si një masë parandaluese ndaj COVID-19 pasi dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë rezultuan se ishin prekur nga virusi.
Instituti Kombëtar i Shëndetit e njoftoi fillimin e provës me hidroksiklorokinë, një ilaç që përdoret për të trajtuar sëmundjen e malaries apo sëmundje të tilla si artriti, në muajin prill.
Top Channel