Dubai është një qytet ku zjarrfikësit “fluturojnë”, arkipelagët ndërtohen nga hiçi dhe ndërtesat prekin qiellin.
Një metropol në mes të shkretëtirës, saqë ata të cilët e vizitojnë për herë të parë u duket vetja në skenën e një filmi fantastiko-shkencor.
Por edhe më guximtar është një prej projekteve të fundit që kanë ndërmarrë në Dubai, pas shpalljes së objektivit për të kolonizuar planetin Mars brenda 100 viteve të ardhshme.
Arkitektët kanë nisur që tani të imagjinojnë se si mund të duket një qytet marsian dhe po planifikojnë të ndërtojnë një të tillë në shkretëtirën që rrethon Dubain.
“Mars Science City” është një qytet me sipërfaqe 176 000 metra katrorë, që do të kushtojë rreth 135 milionë dollarë. Fillimisht projekti ishte ideuar për të zhvilluar teknologjinë që do të duhet për të arritur në Mars, por arkitektëve të grupit “Bjarke Ingels” iu kërkua që të ndërtonin prototipin e një qyteti që do të përballonte jetën atje.
Problemet më të mëdha për të ngritur një qytet të tillë janë temperatura, që në mars është -63 gradë celsius dhe atmosfera e hollë, që shndërron çdo lëng në gaz. E pavarësisht temperaturave të akullta, një trup pa veshje mbrojtëse do të “piqej” në Mars. Godinat në atë planet do të ndërtoheshin në 3D nën dunat e rërës, duke përdorur tokën që ndodhet atje.
Top Channel