Ilustrim

Bashkia e Rrogozhinës është gjobitur nga IKMT për mosmarrjen e masave për ndotjen e basenit të lumenjve, me vlerën e 2 milion lekëve.

Njoftimi i plotë:

IKMT në mbrojtje të mjedisit/Pak javë pasi u ndëshkua me gjobë kompania e pastrimit në Rrogozhinë që derdhte mbetjet në lumin Shkumbin, ndëshkohet me gjobë edhe Bashkia Rrogozhinë

IKMT ka kryer verifikime në shtratin e lumit Shkumbin në territorin e bashkisë Rrogozhinë ku është vërejtur një situatë e rënduar mjedisore si pasojë e mbetjeve urbane të depozituara pa kriter. Në kushtet kur Bashkia Rrogozhinë, edhe pas njoftimeve e kërkesave për marrje masash, nuk ka kryer veprime konkrete për pastrimin e territorit, IKMT ka marrë masën e ndëshkimit me gjobë 2 milion lekë ndaj Bashkisë.

Pak javë më parë, përgjatë kontrolleve në territor u konstatuan hedhje të mbetjeve urbane në territorin e bashkisë Rrogozhinë, në fshatin Zall, pranë bregut të lumit Shkumbin. Për pastrimin e qytetit të Rrogozhinës ishte kontraktuar firma “Viola-Green SHPK”. Ky subjekt u konstatua se mbetjet i depozitonte në lumin Shkumbin. IKMT mori masë administrative ndaj Kompanisë, si dhe njoftoi bashkinë Rrogozhinë për ndërprerjen e depozitimit të mbetjeve dhe rehabilitimin mjedisor të zonës.

IKMT në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të intensifikojnë inspektimet në terren, në çdo bashki apo njësi vendore, duke shoqëruar me masa të ashpra çdo shkelje të konstatuar. IKMT fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë raste të abuzimit me mjedisin, duke telefonuar falas në 112 apo në aplikacionin Komisariati Dixhital.

Kujtojmë se rreth 1 muaj më parë, Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit gjobiti dhe çoi për ndjekje penale firmën e parë që paguhej nga taksat e qytetarëve për të trajtuar mbetjet urbane në Rrogozhinë, por në fakt i hidhte në lumin Shkumbin duke krijuar një landfill të hapur, ndërsa gjithçka përfundonte në det.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA