Të dëmtuara nga tërmeti/ Miratohet fondi nga qeveria për ndërtimin e banesave, pallateve e shkollave në Kamëz e Kavajë

17/06/2020 18:46

Qeveria ka miratuar sot fondin për rindërtimin dhe financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe pallateve në bashkitë Kamëz dhe Kavajë, të cilat u dëmtuan nga tërmeti.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se fondi i akorduar është 510 240 000 lekë.

VENDIM PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË BANESAVE INDIVIDUALE DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) NË BASHKITË KAMZË DHE KAVAJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 510 240 000 (pesëqind e dhjetë milionë e dyqind e dyzet mijë) lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ato individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para si pasojë e fatkeqësisë natyrore, në Bashkitë Kamzë dhe Kavajë.

2. Efekti financiar sipas pikës 1 të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Kamzë dhe Kavajë, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi prej 163 890 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e tetëqind e nëntëdhjetë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
b) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi prej 346 350 000 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë dhe Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA