Kjo rrugë gjarpërushe është simboli i Tamarës. Ndalesën e radhës do ta bëjmë në Lepushë, ku malet dhe natyra e saj ngjajnë me ato të Zvicrës. Ndikimi i pandemisë është ndier edhe në këtë zonë. Turistët e huaj që mbajnë gjallë fshatin, mungojnë.
“Këtu rezervimet fillojnë që në janar nga agjencitë e huaja. Këtë vit ishte shumë mirë rezervimi krahasuar me vitet e tjera. Për momentin rezervimet janë anuluar në total nga të huajt”, thotë Luigji Cekaj, Administrator Bujtine, Lepushë. Pronarët e bujtinave në Lepushë janë përgatitur për një humbje në 60% këtë vit. Kjo pasi ata parashikojnë që të punojnë vetëm dy ditë në fundjavë.
Nuk janë vetëm humbjet që po i frikësojnë bujtinat në Lepushë, por edhe rifillimi i punës me të huajt. Ata ndihen të pasigurt për rikthimin e bashkëpunimit me agjencitë, pas kësaj periudhe pezullimi. “Dihet që kur një punë stopon fillimi është shumë i vështirë. Që te agjencitë është frika nëse ata do të rikthehen më me punën. Janë shumë gjëra që nuk mund ti parashikojmë se si do të shkojnë punët në vazhdim. Pasi turizmi në Lepushë ka qenë me të huajt”, thotë Luigji Cekaj, Administrator Bujtine, Lepushë.
Nëse ndjek rrugën për në Vermosh në anë të rrugës do të shohësh dy nga atraksionet e kësaj zone: “Ujvarën” dhe “Kanionin e Bashkimit”.
Në 10 vitet e fundit Thethi është kthyer në një destiancion turistik të preferuar nga të huajt. Kështu banorët e zonës ngritën bujtina ose kthyen shtëpitë e tyre në bujtina për të siguruar disa të ardhura më shumë.
Përveç natyrës, Thethi i tërheq turistët edhe me historinë e të parëve. Kjo është “Kulla e Ngujimit” . Por ndryshe nga emërtimi, ajo shërbente për të pajtuar gjaqet. E ndërtuar 4 shekuj më parë si “Kullë Mbrojtjeje” nga armiku ajo ka ndryshuar disa herë funksion. Si kullë ngujimi e pajtimi, si kasolle e lënë në harresë gjatë komunizmit dhe sot si objekt turistik. Kjo kullë i përket familjes Koçeku dhe Sokoli është cicëroni që i shpjegon turistëve të gjithë historinë e Kullës. Por sot ai hynë e del i vetëm në kullë, turistët mungojnë.
“Turistë s’ka, zero me hiç jemi. Ne jemi më shumë të frekuentuar nga bota. Kështu mbyllja e kufinjëve nga Covidi ka bërë që të mos ketë turistë. Ne me këto jetojmë. Pothuaj të gjitha bujtinat janë të mbyllura. Sigurisht që e ndjejmë mungesën kuptohet ajo punë. Apo siç i themi ne na merr malli tashti me pa turistë”, rrëfenSokol Koçeku, Ciceron në “Kulla e Ngujimit” Theth.
Në Theth jetojnë rreth 45 familje dhe e ardhura e tyre kryesore është turizmi. Duke parë këto bujtina të mbyllura kupton se në çfarë situate ekonomike është zona. Banorët thonë që jemi kthyer pas në kohë, atëherë kur nuk na vizitonte asnjë turist. “Thethi ka filluar me turizëm para 10 viteve, dhe në krahasim me ato është kthyer shumë vite mbrapa. Po ta marrësh qershorin e 2011 ndoshta ka qenë i tillë, kur ishte fillimi i turizmit”, Pavlin Pali, Administrator Bujtine, Theth
Sezoni pritej që të niste që në prill, kjo referuar rezervimeve të para. Por këto rezervime janë anuluar. “Rezervimet e para kanë qenë që në prill dhe vazhdonin në maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator. Këto që ikën kanë filluar të s’postohen në 2021 në të njëjtat data. S’postim kanë pësuar edhe rezervimet deri në datën 10 korrik. Ndërkohë që vjen ndonjë rezervim sporadik për gushtin dhe shtatorin”, Pavlin Pali, Administrator Bujtine, Theth.
Top Channel