Në këtë pjesë të dytë të Top Story do të flasim për veriun e vendit, për turizmin malor, atë që frekuentohet më së shumti nga shtetas polakë, çekë, italianë, zviceranë e shumë të tjerë.

Veriu i vendit ka pak vite që ka nisur të punojë me turizmin. Të punësuarit sezonal aty, presin pranverën që të sigurojnë disa të ardhura. Por këtë vit bujtinat nuk do të punësojnë njerëz dhe do të jenë pronarët ata që do të mbajnë punën. “Ato kanë mëdyshjen që nëse deri dje kishin 5-10 persona në staf, sot ato do munden ti përballojnë këto pak rezervime dhe atë pak punë me pjestarët e familjes”, thotë Aida Gjeçaj, Udhërrëfyes Turistik Kombëtar.

Destinacioni i parë që do të vizitojmë është Valbona. Duke qenë se rruga nuk është e mirë, gjysmën e rrugëtimit do ta bëjmë me tragetin që bën linjën Koman –Fierzë. Bukuria përrallore që të sheh syri gjatë këtij udhëtimi, ndërthuret me ajrin e pastër që të mbush mushkëritë. Por edhe këtu ndihet mungesa e turistëve. Nëse një vit më parë në këtë traget nuk do të kishe mundësi që të lëvizje për shkak të fluksit, sot ai është pothuajse bosh.

“Virusi na ka dëmtuar shumë. Vitin që kaloi kam filluar punë që në fillim të prillit. Sivjet jo në prill, po as në maj dhe as në qershor s’po punojmë. Jemi në pikëpyetje se nuk shoh shumë të ardhme sepse njerëzit edhe kanë frikë, edhe janë dëmtuar ekonomikisht edhe nuk mund të dalin”, thotë Mark Fran Marku, Administror i Tragetit Koman-Fierz

Të gjitha bujtinat në Valbonë duken të shkreta. Tek – tuk mund të shohësh ndonjë njeri që hyn e del në to. Biznesi ndihet i “infektuar” nga pandemia. “Ne jemi të vdekur sot. Në të njëjtën kohë të paktën te kjo bujtinë ka qenë krejt e rezervuar çdo ditë. Valbona ka pasur turist pafund, sot nuk është asnjë”, Sherif Margjeka, Administrator Bujtine, Valbonë

“Mos ardhja e njerëzve, bllokimi i kufijve. Në momentin që ato nuk hapen për ne është një humbje kolosale”, thotë Kelment Selimaj, Administrator Bujtine, Valbonë. “Shume bujtina mendojnë të mos hapen farë këtë vit duke qenë se kanë edhe pleq në shtëpi. Ndërkohë që edhe të tjerë do të presin të kalojë edhe qershori për të parë nëse do të ketë punë”, Aida Gjeçaj, Udhërrëfyes Turistik Kombëtar

Për të nxitur turistët që të vijnë edhe këtë vit, bujtinat nuk do të ndryshojnë çmimet e dhomave dhe të ushqimit. I vetmi ndryshim do të jetë rritja e transportit me traget dhe varka, nëse do të vijojë puna me gjysmën e kapacitetit. “Na tremb rritja e çmimit të trasportit. Rruga për në Valbonë dhe në Theth nga trageti, anijet apo furgonat që bëjnë atë rrugë. Nëse ju imponojmë gjysmë kapaciteti për shkak të covidit ata janë me humbje.

Kështu ose do të rrisin çmimin ose nuk do e bëjnë rrugën fare. Kjo rrit kostot për turistë që do të vijnë të vizitojnë zonën por rrit edhe kostot e paketave turistike”, tregon Aida Gjeçaj, Udhërrëfyes Turistik Kombëtar. Valbona dhe Thethi janë dy pikat më të preferuara në veri për turizmin malor. Valbona ka një sezon më të gjatë turistik krahasuar me Thethin edhe pse ky i fundit është më i preferuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA