Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim lamtumire Dekanin e Trupit Diplomatik në Shqipëri, Ambasadorin e Serbisë, Miroljub Zariç.
Kreu i Shtetit vlerësoi veprimtarinë e gjatë profesionale të Ambasadorit Zariç, si përfaqësues diplomatik në Tiranë, si dhe përpjekjet aktive të Tij në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që përmbajtja e marrëdhënieve midis dy vendeve është pasuruar me zhvillime të reja, falë angazhimit për t’i shërbyer jo vetëm bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, por edhe si detyrim ndaj të ardhmes së përbashkët evropiane.
Duke ju referuar treguesve në rritje të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu potencialet ende të pashfrytëzuara për bashkëpunimin mes dy vendeve tona.
Presidenti Meta vlerësoi se, “ndërsa përballemi me sfida të pashembullta për shëndetin publik dhe ekonominë, bashkëpunimi rajonal ka rezultuar i dobishëm në trajtimin e pandemisë COVID-19 dhe se duhet të vijojmë në këtë drejtim”.
Top Channel