Të paktën tre ushtarë indianë janë vrarë në një konfrontim me trupat kineze ne territorin e kontestuar mes dy superfuqive aziatike në Himalaje.
Vdekjet janë humbjet e para të jetës në 45 vjet në këtë zonë dhe vijnë mes një përshkallëzimi të konfliktit në javët e fundit.
Në një deklaratë të ushtrisë indiane thuhej se përballja e dhunshme ndodhi në luginën Galwan natën e të hënës “me viktima nga të dyja palët”.
“Humbjet e jetëve nga pala indiane përfshinin një oficer dhe dy ushtarë. Aktualisht zyrtarë të të dyja palëve janë duke diskutuar për shuarjen e tensioneve”, thuhej në deklaratë.
Kina ka akuzuar forcat indiane kufitare për veprime provokative, teksa zëdhënësi i ministrisë së jashtme Zhao Lijian tha se trupat indiane kishin “shkelur një marreveshje duke kaluar ilegalisht kufirin çka kishte sjellë përplasje serioze fizike”.
Dy palët kanë një ngërç të vjetër për disa zona të largëta malore. Ato janë përpjekur të zgjidhin konfliktin prej viteve 1990-të por pa sukses.
Top Channel