“Akt vandal”/ Dëmtimi i kolonave në Apoloni, reagon Ministria e Kulturës: S’ka asnjë humbje të parikuperueshme, por …

15/06/2020 14:07

Parku arkeologjik i Bylisit dhe së fundi Parku i Apolonisë janë kthyer në kryefjalën e mediave të vendit tonë.

Ministria e Kulturës ka reaguar pas akuzave në drejtim të institucionit pas dëmtimit të kolonave të Nimfeut në Parkun Arkeologjik të Apolonisë.

Në një deklaratë për shtyp ministria sqaron se nuk ka bërë asnjë përpjekje për të fshehur dëmtimin e dy kolonave por ka ndjekur rrugën ligjore për zbardhjen e këtij akti dhe ka marrë masa të menjëhershme për hartimin e projektit për ringritjen e tyre.

Tashmë ngjarja është nën hetimin e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, shkruhet më tej në deklaratën e Ministrisë, duke shtuar se nga inspektimi në terren u konstatua se kolonat kanë pësuar shkëputje të tamburëve nga njëri-tjetri dhe ciflosje. Specialistët kanë mbledhur dhe dokumentuar çdo element të shkëputur dhe sipas tyre nuk ka asnjë humbje të parikuperueshme në monument.

Puna për ringritjen e kolonave dhe restaurimin e tyre do të nisë në ditët në vijim.

DEKLARATË E PLOTË PËR SHTYP

Mbi dëmtimin e kolonave të fasadës së fontanës monumentale të Apolonisë

Duke iu përgjigjur interesit të publikut mbi rastin e dëmtimit të dy kolonave të Nimfeut, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, dhe për t’i vënë fre disinformimit, të mbështetur vetëm në hamendësime dhe keqinterpretime rrjetesh sociale dhe asnjë burimi zyrtar, Ministria e Kulturës sqaron:

Ministria e Kulturës nuk ka bërë asnjë përpjekje për të fshehur dëmtimin e dy kolonave, por ka ndjekur rrugën ligjore për zbardhjen e këtij akti vandal dhe ka marrë masa të menjëhershme për hartimin e projektit për ringritjen e tyre.
Dy kolonat e fasadës së fontanës monumentale të Apolonisë janë dëmtuar dy muaj më parë, gjatë izolimit nga Covid 19. Ato janë gjetur të dëmtuara gjatë kontrollit nga punonjësit e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis, në datën 13 prill 2020.

Menjëherë është lajmëruar Drejtoria e Policisë Vendore, Fier, e cila erdhi menjëherë në vendngjarje.Tashmë ngjarja është nën hetimin e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.

Në të njëjtën kohë, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis ka vënë në dijeni Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Nga inspektimi në terren u konstatua se kolonat kanë pësuar shkëputje të tamburëve nga njëri-tjetri dhe ciflosje. Specialistët e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis kanë mbledhur dhe dokumentuar çdo element të shkëputur. Sipas specialistëve, nuk ka asnjë humbje të parikuperueshme në monument.
Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut ka hartuar menjëherë një projekt restaurimi, i cili është aprovuar tashmë pranë Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve dhe në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës.

Puna për ringritjen e kolonave dhe restaurimin e tyre do të nisë në ditët në vijim.

Parku i Apolonisë është një nga më të rëndësishmit në vendin tonë, me një shtrirje prej 700 hektarësh dhe ruajtja e këtyre sipërfaqeve, ka shfaqur vështirësi përgjatë viteve.

Ashtu si të gjitha institucionet e tjera shtetërore, edhe Ministria e Kulturës po bashkëpunon me Shoqërinë Shtetërore të Sigurisë, “Illyrian Guard”, për vendosjen nën ruajtje të të gjitha muzeve, siteve arkeologjike dhe institucioneve të tjera kulturore.

“Illyrian Guard” operon përmes sistemit digjital të ruajtjes, duke siguruar një kontroll më të mirë të territorit, duke tejkaluar problematikën e pamundësisë së mbikqyrjes fizike të objekteve të trashëgimisë kulturore.

Duke dënuar këtë akt vandal dhe antishqiptar, me besim të plotë se Policia e Shtetit do të zbardhë këtë çështje, dhe përgjegjësit do të dalin përpara drejtësisë, Ministria e Kulturës i bën thirrje çdo qytetari të kontribuojëme përgjegjshmëri dhe ndjeshmëri të lartë civile, në ruajtjen e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA