IKMT përmbylli aksionin për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të plazhit të Velipojës, por që u shoqërua me incidente.
Një grup personash tentuan të bllokonin aksionin njofton policia e Shkodrës.
“Shërbimet e Policisë u kërkuan të mos pengonin punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë së Shtetit në kryerjen e detyrës, por ata kundërshtuan forcërisht lirimin e hapësirës ku do të operohej.
Policia e Shtetit u bëri thirrje disa herë që të largoheshin nga vendi që operohej, por ata vazhduan të kundërshtonin me forcë shërbimet e Policisë.
Në këto kushte shërbimet e FNSH-së, të Forcës së Posaçme Shqiponja dhe ato të Postës së Policisë Velipojë larguan forcërisht të gjithë personat dhe IKMT-ja vazhdoi punën, duke shembur 24 objekte të paligjshme gjatë gjithë vijës bregdetare të Velipojes.
Strukturat e Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale dhe materialet u refruan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të 6 shtetasve, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”“, thuhet në njoftim.
Por kjo nuk është hera e parë që në Velipojë ka përplasje mes policisë dhe banorëve, pasi dhe më herët në aksionet e disa ditëve më parë, FNSH është detyruar të ndërhyjë me gaz lotsjellës dhe forca për të larguar pronarët dhe familjarët nga objektet në Velipojë.
Po ashtu edhe kyetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi i ka dërguar letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshi si dhe ministrit të Turizimit dhe Mjedisit, Blendi Klosit për situatën në fjalë.
Reagimet nuk kanë munguar as nga kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, që për Top Channel shpjegoi arsyen se përse është kundër shkatërrimit të ndërtimeve.
Top Channel