Veliaj: Do rikuperojmë çdo shtëpi të dëmtuar në nëntor. Gati 3000 dosjet e para për pagesat cash

13/06/2020 14:04

Bashkia e Tiranës mundësoi rindërtimin nga e para të shtëpisë së familjes Krasniqi. Çelësat e banesës së re ia dorëzoi zonjës së shtëpisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai theksoi se refreni për këtë vit do jetë ndërtimi i shtëpive të reja, shkollave të reja, lagjeve të reja dhe pallateve të reja. “Do të vazhdojmë me pagesat cash për ata që kanë dëmtime të riparueshme dhe me kontrata për t’u bërë shtëpitë e reja për ata që i kanë banesat të pabanueshme. Vetëm në Baldushk kemi 128 shtëpi të tilla. Besoj se me të njëjtin ritëm që rikuperuam çdo shtëpi të vjetër të shtatorit, do rikuperojmë çdo shtëpi të dëmtuar në nëntor”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se shumë shpejt do të nisë puna për rikuperimin e pallateve të dëmtuara, ndërsa garantoi familjet e prekura se do të vijojnë të marrin bonus qiraje 100%. “Në zonën e Kombinatit dhe të Kinostudios do të shemben rreth 41 pallate. Lajmi i mirë është se të gjithë banorët do ta marrin 100% bonusin e qirasë, derisa të kemi rikuperuar pallatet e vjetra”, u shpreh Veliaj, duke shtuar se ndërtesat e reja do të jenë shumë herë më të sigurta.

“Pandemia, tërmetet, përmbytjet, thatësira, reshjet, janë fenomene që na kanë mësuar t’i bëjmë gjërat më mirë dhe më të rezistueshme në të ardhmen. Ndaj, nuk do të marrim risqe, siç nuk morëm te Teatri, te “Sami Frashëri”, te shkolla në Pezë.

Nëse ekspertët, jo gjithologët që dalin çdo natë në televizor të japin mend, thonë se kjo ndërtesë nuk mban, atëherë nuk vëmë bast me fatin dhe me natyrën. Shumë shpejt do të nxjerrim vendimet për këto 41 godina. Banorët, gjithsesi nuk jetojnë aty, janë me bonos qiraje”, deklaroi Veliaj.

Ndërkohë, këtë muaj nis dhënia e parave cash për dëmet më të lehta të shtëpive.

“Do të bëjmë pagesat e para cash për 3000 dosjet e përgatitura. Do të vazhdojmë çdo javë me nga 3000, që të sigurohemi të bëjmë të gjitha pagesat cash për riparimet. Mandej, fokusi do të jetë te shtëpitë e reja dhe besoj se gjatë verës, ku një pjesë e madhe e qytetarëve do të jenë me pushime, Bashkia e Tiranës nuk do të bëjë pushim sepse do të mbikëqyrë këtë kantier të hapur në të paktën 800 pika, për banesat individuale”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA